Jete & Stil

Fyerjet janë një ‘shuplakë në fytyrë’

Të dëgjosh një fyerje është njësoj sikur po të gjuajnë me shuplakë në fytyrë, pavarësisht nga konteksti i asaj që dëgjove.

Ky është përfundimi i një studimi të ri të botuar në Frontiers in Communication. Studiuesit përdorën elektroencefalografinë (EEG) për të krahasuar ndikimin e fyerjeve të përsëritura verbale.

Njerëzit janë një specie shumë sociale. Ne mbështetemi në dinamikën gjithnjë në ndryshim të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërpersonale për të mbijetuar dhe jetuar. Fjalët luajnë një rol të madh në këto marrëdhënie, pasi ato janë mjete që përdoren për të kuptuar sjelljen ndërpersonale. Si të tilla, fjalët mund të lëndojnë, por ne dimë pak se si ndodh ndikimi i fjalëve kur dikush fyen dikë.

“Mënyra e saktë se si fjalët japin një ngarkesë emocionale negative është ende e panjohur”, tha autorja Marijn Struiksma.

“Të kuptuarit e asaj që një shprehje fyese u bën njerëzve ndërsa thuhet dhe pse, është e një rëndësie të konsiderueshme për psikolinguistët që studiojnë se si gjuha dhe e folura ndikon tek ne, por edhe për të tjerët që dëshirojnë të kuptojnë detajet e sjelljes shoqërore”.

Struiksma dhe kolegët e saj donin të shqyrtonin nëse përpunimi i fyerjeve verbale sjell ndjenja negative dhe nëse po, deri në cfarë mase.

Studiuesit zbuluan se sido të jetë konteksti, personi që fyen apo fyerja, njerëzit e fyer kishin një ndjesi njësoj sikur dikush tu ketë gjuajtur me shuplakë në fytyrë.

Gjithashtu, rezultatet treguan një ndjeshmëri të shtuar të trurit tonë ndaj fjalëve negative në krahasim me fjalët pozitive. Një fyerje tërheq menjëherë vëmendjen e trurit tonë, pasi kuptimi emocional i fyerjeve merret nga kujtesa afatgjatë. Ndërkohë që komplimentet kishin një efekt më të vogël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë