Jete & Stil

Terapia e nënvlerësuar për ankthin dhe stresin: Uji

Uji i jep trurit tonë një pushim nga vëmendja intensive dhe e përqendruar që kërkon pjesa më e madhe e jetës së përditshme.

Në një ditë gushti me pluhur dy vjet më parë, shkencëtari Wallace J. Nichols eci në luginën e Kalifornisë ku kishte jetuar për më shumë se 20 vjet për të gjetur shtëpinë e familjes së tij dhe të gjitha pasuritë e tyre të shkatërruara nga një zjarr.

Ai kërkoi nëpër vendin e shkatërruar se mos kishte mbetur diçka. Eci me këmbë në të gjithë zonën dhe më pas bëri të vetmen gjë të dobishme që mund të bënte.

Zbriti në lumin aty afër, hoqi rrobat dhe u zhyt në ujë.

Ai po kërkonte fuqinë shëruese të ujit.

Kanë qenë disa vite të vështira. Shumë prej nesh po e gjejmë veten të rraskapitur, të ezauruar, duke luftuar për të rivendosur ekuilibrin në jetën tonë. Duhet të rimarrim energjitë tona.

Uji mund të ndihmojë. Neuroshkencëtarët thonë se kalimi i kohës pranë oqeaneve, liqeneve, lumenjve dhe hapësirave të tjera blu mund të ofrojë një sërë përfitimesh duke përfshirë reduktimin e ankthit, lehtësimin e lodhjes mendore dhe qetësi.

“Pjesëmarrja në aktivitete ujore si noti ose surfi mund të na ndihmojë të hyjmë në një “gjendje rrjedhjeje” ku ne zhytemi plotësisht në atë që po bëjmë. Kjo qetëson gjendjen e brendshme të mendjes sonë, e cila shpesh pushtohet nga shqetësime të ndryshme”, thotë Ricardo Gil-da-Costa, neuroshkencëtar i cili ka studiuar se si uji ndikon në trurin tonë.

Personat që kanë ujin pjesë të jetës së tyre gjithashtu mund të mposhtin më lehtë ndjenjën e frikës ndaj të panjohurës.

“Uji na ndihmon të meditojmë duke na hequr gjithë ‘zhurmën’ në kokën tonë”, thotë Nichols, puna e të cilit fokusohet në mënyrën se si hapësirat blu ndikojnë në mirëqenien tonë.

Uji ka veti të veçanta që mund të rrisin ndikimin pozitiv të natyrës, thonë psikologët mjedisorë. Kur jeni pranë tij, shpesh ka më pak informacion vizual dhe dëgjimor për t’u përpunuar. Mendja jonë mund të pushojë.

Tingulli i ujit, zakonisht i qëndrueshëm dhe i butë, na qetëson. Era pranë ujit mund të provokojë kujtime dhe ndjesi pozitive. Kur jemi duke notuar, trupi ynë gjithashtu mund të pushojë, në një mënyrë që nuk mundemi kurrë në tokë.

Dhe më e rëndësishmja? Uji është dinamik. Ai lëviz në mënyrë ritmike, duke prodhuar një lojë drite, ngjyrash dhe tingulli që janë magjepsëse.

Ka vëmendjen tonë, por jo në një mënyrë tepër kërkuese. Studiuesit e quajnë këtë magjepsje të butë. Uji i jep trurit tonë një pushim nga vëmendja intensive që kërkon pjesa më e madhe e jetës së përditshme.

“Uji ndihmon mendjen tonë të endet në një mënyrë pozitive”, thotë Marc Berman, drejtor i Laboratorit të Neuroshkencës në Universitetin e Çikagos.

Këtu janë disa këshilla se si të shfrytëzoni fuqinë shëruese të ujit.

Mos harroni se nuk ka rëndësi nëse është liqen, det apo pishinë

Edhe nëse keni afër një liqen të vogël. Filloni këtu. Më pas filloni të frekuentoni detin apo hapësira më të mëdha kurdo që keni mundësi.

Po ashtu edhe uji i shtëpisë në pishina, vaska është i rëndësishëm. Kushtojini vëmendje çdo momenti, çdo zhurme që dëgjoni, thotë Nichols, autor i “Blue Mind”, i cili eksploron sesi uji na bën më të lumtur dhe më të shëndetshëm.

Nëse nuk mund të shkoni diku ku ka ujë, pikturat, fotografitë, videot dhe filmat mund të prodhojnë gati të njëjtat përfitime, thotë ai.

Edhe realiteti virtual ndihmon. Në studimet kërkimore, skenat e ujit të realitetit virtual të krijuara nga kompjuteri rritën humorin e pjesëmarrësve, me gjasë sepse ata ndërvepruan me mjedisin.

Shkoni shpesh.

Një studim i vitit 2019 zbuloi se duhen të paktën dy orë në javë në natyrë për të përmirësuar mirëqenien tonë, e cila mund të ndahet në shtrirje më të vogla. Një studim më i fundit, ende i pabotuar, zbuloi se kalimi i një sasie të ngjashme kohe pranë ujit ka të njëjtat përfitime, thotë Mathew White, psikolog mjedisor në Universitetin e Vjenës, i cili studion përfitimet shëndetësore të mjediseve ujore.

Shkencëtarët gjithashtu kanë zbuluar se njerëzit që shikonin në akuariume kishin rrahje më të ulëta të zemrës dhe humor më të mirë pas vetëm 15 minutash.

Provoni një sport ujor.

Dhe bëhu i mirë në të. Kjo do t’ju ndihmojë të përjetoni një gjendje qetësie kur shqetësimet tuaja po ndikojnë në jetën tuaj. E gjithë energjia përqendrohet tek ajo që po bëni.

Kur mëson mirë një aktivitet, truri yt ndryshon; formon rrugë të reja nervore, të cilat bëhen më të shpejta dhe më të forta.

Dëgjo.

“Një nga vetitë më qetësuese të ujit është zhurma e tij”, thotë White. Në një studim të botuar në maj, ai dhe kolegët zbuluan se tingujt e ujit që njerëzit i konsiderojnë më rigjenerues janë një pyll tropikal me shi, një plazh dhe një përrua. Kur studiuesit shtuan tinguj biotikë, nga qeniet e gjalla, tek tingujt e ujit, njerëzit i pëlqyen edhe më shumë.

Përdor imagjinatën

“Ju mund të kaloni kohë në ujë kudo, në çdo kohë në mendjen tuaj. Dhe kur uji që imagjinoni është uji që keni shijuar në jetën reale, efekti pozitiv do të jetë edhe më i forte”, thotë Nichols.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë