Ekonomi

Korriku rekord të ri turistësh në vend. 1.4 mln të huaj erdhën për pushime

Nga Gazeta 'SI' - Në muajin korrik, në territorin shqiptar kanë hyrë mbi 2 milionë vizitorë, shqiptarë dhe të huaj. Në raport vjetor, rritja është 22.1%. Më shumë se gjysma e vizitorëve, janë shtetas të huaj, 1.4 milion, dhe pjesa tjetër shqiptarë.

Sipas origjinës së të huajve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë korrikut, rritjen më të madhe, në raport vjetor, e ka pasur Spanja, me katërfishim të shifrave. Vizitorët nga Italia janë shtuar me 48%, nga korriku i shkuar.

Në Korrik 2022, numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin e Shqipërisë për qëllime “personale”, ku përfshihen pushimet, është 1.39 mln duke u rritur me 21.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për periudhën janar-korrik 2022, në Shqipëri kanë hyrë 2.8 mln shqiptarë, 45% më shumë se në 2021-shin.

Gjatë muajit korrik 2022, nga Shqipëria kanë dalë, 1.8 mln të huaj dhe vendas, 28% më shumë se korriku i një viti më parë. 555 mijë ishin shqiptarë , me rritje 16.8% dhe pjesa tjetër, të huaj.

Për të gjithë shtatëmujorin, nga territori i Shqipërisë kanë dalë mbi 3 mln shqiptarë, 41.1% më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Transporti detar mbetet më i përdoruri për hyrje-daljet në vendin tonë, duke u rritur me pothuajse 50% nga shtetasit që kanë hyrë në Shqipëri dhe me 80% për ata që kanë dalë.

Korriku 2022, kaloi shifrat e korrikut të 2019-s, për turistët që kanë vizituar Shqipërinë, duke vendosur një rekord të ri. Në korrikun e vitit 2019, para pandemisë, në vendin tonë erdhën mbi 1.7 mln turistë, në total dhe në dy vitet pasardhëse, shifra mbeti nën nivelin e 2019-s.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë