Jete & Stil

Paralajmërim për prindërit: Anashkalimi i mëngjesit shton rrezikun e problemeve të sjelljes te fëmijët

Sipas një studimi në Spanjë, fëmijët që nuk hanë mëngjes kanë më shumë gjasa të kenë probleme të sjelljes.

Mëngjesi konsiderohet si vakti më i rëndësishëm i ditës, duke i dhënë trurit dhe trupit energjinë që nevojitet për ditën në vazhdim.

Por njerëzit kanë filluar të dyshojnë në këtë ide vitet e fundit, sepse studimet kanë treguar se si agjërimi me ndërprerje mund të rrisë jetëgjatësinë.

Tani, studimi i ri ka treguar se ndërprerja e vakteve të mëngjesit mund të trefishojë rrezikun e problemeve, duke përfshirë ankthin, vetëvlerësimin e ulët dhe humorin e keq tek të rinjtë.

Studiuesit anketuan prindërit e 3700 fëmijëve të moshës katër deri në 14 vjeç në Spanjë për të parë se si zakonet e të ngrënit ndikojnë në shëndetin e tyre mendor.

Autorët thanë se anashkalimi i mëngjesit mund të shkaktojë probleme sepse humbasin lëndët ushqyese jetike në mëngjes dhe nuk mund të plotësojnë deficitin gjatë gjithë ditës.

Ata gjithashtu zbuluan se ngrënia e mëngjesit gjatë rrugës për në shkollë, nga një kafene apo restorant gjithashtu rrit rrezikun në krahasim me ngrënien e vaktit në shtëpi.

Autori Jose Francisco Lopez-Gil, nga Universiteti Castilla-La Mancha në Cuenca, tha se nuk është e rëndësishme vetëm të hash mëngjes por ka shumë rëndësi edhe se ku ha mëngjes dhe çfarë ha.

“Anashakalimi i mëngjesit ose ngrënia e mëngjesit jashtë shtëpisë lidhet me problemet e sjelljes psikosociale tek fëmijët dhe adoleshentët”, thotë Lopez-Gil.

Studiuesit pyetën prindërit për gjendjen shpirtërore, vetëvlerësimin dhe nivelet e ankthit të fëmijës së tyre, krahas asaj se çfarë saktësisht kishte ngrënë fëmija për mëngjes dhe ku e hëngri.

Analiza tregoi se fëmijët që nuk konsumonin mëngjes kishin 3.29 herë më shumë gjasa për të zhvilluar probleme të sjelljes sesa ata që hanin mëngjes.

Ata që hanin mëngjes jashtë shtëpisë kishin 2.06 herë më shumë gjasa të vuanin nga problemet.

Studiuesit thanë se mëngjeset e ngrëna në kafene dhe Fast-Food janë më pak ushqyes.

“Gjetjet tona përforcojnë nevojën për të promovuar jo vetëm mëngjesin si pjesë e një rutine të shëndetshme jetese, por edhe që duhet të hahet në shtëpi”.

Studim i botuar në Frontiers in Nutrion. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë