Para

Dollari lë pas Euron përsëri, rriten dhe valutat e tjera

Nga Gazeta SI – Mëngjesin e 23 gushtit, në tregun e brendshëm valutor, një Dollar është blerë me 117.39 lekë dhe është shitur me 118.31 lekë, duke lënë pas monedhën europiane për të dytën herë brenda muajit.

Euro është blerë me 116.68 lekë dhe është shitur me 117.3 lekë, duke u luhatur po në nivelet e mëparshme.

Paundi britanik gjithashtu ka shënuar rritje, duke u blerë me 137 lekë dhe u shitur me 138.5 lekë.

Franga zvicerane është blerë sot me 120.7 lekë dhe është shitur me 121.8 lekë.

Në tregjet botërore, monedha europiane po performon dobët dhe ekonomistët kanë parashikuar dhe një raport 1:1 me dollarin, lidhur kjo me reagimet e ndryshme të Bankave Qendrore. Momentalisht 1 Euro këmbehet me 1.002 dollarë.

Banka Europiane ka vepruar më ngadalë në shtrëngimin e politikës monetare ndërkohë që po përballet me nivele rekorde të inflacionit dhe një krizë të thellë energjetike, duke rezultuar në një monedhë të dobësuar dhe aspak tërheqëse.

Një euro e rënë është e padëshirueshme pasi favorizon fitimet e çmimeve duke i bërë importet më të shtrenjta. Disa politikëbërës kanë theksuar një euro më të dobët si një rrezik për objektivin e Bankës Qendrore për të kthyer inflacionin në 2% në terma afatmesëm, megjithëse BQE nuk synon kursin e këmbimit. Megjithatë, kur matet kundrejt monedhave të tjera, përveç dollarit, euro duket më elastike, thekson Bloomberg.

Nga ana tjetër, Dollari ka vijuar një trend rritës, pasi rritja e normave të interesit nga Banka Federale e ka forcuar atë dhe e ka bërë më tërheqëse për investitorët dhe kthimet e tyre, sidomos në tregun e titujve.

Ekspertët presin një tjetër rritje të Dollarit, sipas Forbes.

Goditja e fundit për Euron ishte lajmi se Rusia do të mbyllë gazsjellësin për tre ditë që çoi në rritjen e menjëhershme të çmimeve të gazit në kontinent.

Përpos ndikimit të jashtëm, në Shqipëri, sipas agjentëve të këmbimit valutor kjo lidhet me tendencat sezonale të turizmit dhe futjen e sasive të mëdha të Euros në tregun lokal.

Rritja e mëhershme e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë si masë kundër inflacionit në rritje, synon të forcojë monedhën vendase.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë