Nga Gazeta Si – Si sot 89 vjet më parë ndërroi jetë patriotja Marigo Posio, qëndistarja e flamurit. Ajo ishte një nga gratë më të shquara shqiptare, një aktiviste e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Lëvizjes për Pavarësi, si dhe konsolidimit të statusit social të grave shqiptare.
Por më së shumti, Posio kujtohet për qëndisjen e flamurit të ngritur nga Ismail Qemali gjatë Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Në një postim të Muzeut Kombëtar shkruhet se Marigo Posio lindi në qytetin e Korçës, më 1878 (ka paqartësi në datën e lindjes). Ajo rridhte nga një familje me tradita të shquara.
I ati, Kosta Poçi, kishte lidhje farefisnie e sidomos idesh me shumë nga atdhetarët e shquar korçarë, që vepronin brenda dhe jashtë vendit.
Marigoja do të rritej në një mjedis atdhedashës. Që herët spikati ndër shoqe për zgjuarsinë dhe dashurinë për dije. U mësonte vajzave shkrim e këndim, u lexonte poezitë e rilindësve, u mësonte qëndisjen.
Të gjendur nën përndjekjen e turqve, shumë patriotë korçarë u shpërngulën në Vlorë. Ndër ta ishte dhe Marigoja me të shoqin, Jovanin. Këtu nisi më me vrull puna e saj e palodhur për përhapjen e ideve patriotike dhe shkrimit shqip. Me të ardhur në Vlorë, Marigoja do të fillonte një veprimtari të gjerë politiko-patriotike dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetare, ku zhvilloheshin biseda për fatin e mëmëdheut e sidomos për gjendjen e keqe të gruas shqiptare. Ajo u mësoi shumë vajzave dhe nuseve të reja vlonjate alfabetin dhe u dha të lexonin gazeta e libra shqip.
Marigoja ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në mbarëvajtjen e klubit “Labëria”. Punonte krahas burrave për përhapjen e ideve, botonte në gazeta të ndryshme, mbante letërkëmbime me atdhetarë brenda e jashtë vendit.
Pavarësisht burimeve të ndryshme lidhur me rolin e Marigo Posios në përgatitjen e flamurit që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë, asaj i atribuohet merita e qëndisjes së atij flamuri të parë.
Qëndisjen e flamujve me shkabën dykrenore e vijoi edhe më pas, duke marrë dhe emrin “Zonja e flamurëve”.
Patriotja ndërroi jetë në Tiranë më 23 gusht 1932.
Shtëpia e rikonstruktuar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.