Histori

Përkujtohet Marigo Posio, qëndistarja e Flamurit

Nga Gazeta Si - Si sot 89 vjet më parë ndërroi jetë patriotja Marigo Posio, qëndistarja e flamurit. Ajo ishte një nga gratë më të shquara shqiptare, një aktiviste e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Lëvizjes për Pavarësi, si dhe konsolidimit të statusit social të grave shqiptare.

Por më së shumti, Posio kujtohet për qëndisjen e flamurit të ngritur nga Ismail Qemali gjatë Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Në një postim të Muzeut Kombëtar shkruhet se Marigo Posio lindi në qytetin e Korçës, më 1878 (ka paqartësi në datën e lindjes). Ajo rridhte nga një familje me tradita të shquara.

I ati, Kosta Poçi, kishte lidhje farefisnie e sidomos idesh me shumë nga atdhetarët e shquar korçarë, që vepronin brenda dhe jashtë vendit.

Marigoja do të rritej në një mjedis atdhedashës. Që herët spikati ndër shoqe për zgjuarsinë dhe dashurinë për dije. U mësonte vajzave shkrim e këndim, u lexonte poezitë e rilindësve, u mësonte qëndisjen.

Patriotja Marigo Posio

Të gjendur nën përndjekjen e turqve, shumë patriotë korçarë u shpërngulën në Vlorë. Ndër ta ishte dhe Marigoja me të shoqin, Jovanin. Këtu nisi më me vrull puna e saj e palodhur për përhapjen e ideve patriotike dhe shkrimit shqip. Me të ardhur në Vlorë, Marigoja do të fillonte një veprimtari të gjerë politiko-patriotike dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetare, ku zhvilloheshin biseda për fatin e mëmëdheut e sidomos për gjendjen e keqe të gruas shqiptare. Ajo u mësoi shumë vajzave dhe nuseve të reja vlonjate alfabetin dhe u dha të lexonin gazeta e libra shqip.

Marigoja ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në mbarëvajtjen e klubit “Labëria”. Punonte krahas burrave për përhapjen e ideve, botonte në gazeta të ndryshme, mbante letërkëmbime me atdhetarë brenda e jashtë vendit.

Pavarësisht burimeve të ndryshme lidhur me rolin e Marigo Posios në përgatitjen e flamurit që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë, asaj i atribuohet merita e qëndisjes së atij flamuri të parë.

Marigo Posio

Qëndisjen e flamujve me shkabën dykrenore e vijoi edhe më pas, duke marrë dhe emrin “Zonja e flamurëve”.

Patriotja ndërroi jetë në Tiranë më 23 gusht 1932.

Shtëpia e rikonstruktuar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë