Gazeta Si – Incidenti që ka ndodhur me 2 rusët dhe 1 ukrainas në uzinën e armëve në Gramsh ka qenë në focus të mediave botërore këtë të diel.
Agjencitë më të mëdha mediatike kanë shkruar për këtë ngjarje, ku mbetën të plagosur dy ushtarë shqiptarë, të cilëve ju hodh spraj neuroparalizues.
“Shqipëria arreston 2 rusë dhe 1 ukrainas, tentuan të hynin në fabrikën ushtarake”, është titulli i Reuters, në artikullin e të cilit shkruhet se: “Kryeministri Edi Rama tha se 3 personat janë të dyshuar për spiunazh. Autori përdori një sprej kundër ushtarëve teksa po përpiqej të arratisej por u ndalua nga rojet”.
Edhe britanikja “The Guardian” ka shkruar se “3 shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase janë përpjekur të hyjnë në fabrikën ushtarake. I dyshuari i parë përdori sprej paralizues ndaj rojeve të sigurisë pasi u kap duke tentuar të fotografonte në uzinën e Gramshit”.
Ndërsa prestigjiozja italiane, “Corriere della Sera”, raporton këtë të diel me titullin: “Spiunazh në një fabrikë armësh në Shqipëri, ndalohen 3 ruso-ukrainas”.
Sipas të përditshmes përtej Adriatikut, “tre persona me pasaporta ruse dhe ukrainase u arrestuan nën dyshimin për spiunazh, pasi tentuan të hynin në një bazë ushtarake dhe një fabrikë armësh në Shqipërinë qendrore”, – citon “Corriere” ministrinë shqiptare të Mbrojtjes.
“Dy ushtarë shqiptarë mbetën të plagosur nga përplasja në bazën e Gramshit, tha ministria, duke shtuar se gjendja e ushtarëve ishte e qëndrueshme. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se tre personat janë “të dyshuar për spiunazh”, – përfundon artikulli.
“Dy ushtarë shqiptarë u plagosën nga përleshja me dy shtetas rusë dhe një ukrainas të cilët tentuan të hynin në një objekt ushtarak në Shqipërinë qendrore”, shkruan Deutsche Welle në artikullin e saj.
Në artikullin e DW thuhet se njëri prej të arrestuarve, 24-vjeçari rus M.Z. tentoi të fotografonte fabrikën e Gramshit që përdoret për demontimin e armëve të braktisura.
Lajmi ka gjetur pasqyrim edhe në mediat greke, të cilat i referohen ngjarjes dhe deklaratave të Policisë së Shtetit shqiptar dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.