Gazeta Si – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se çdo dëmtim në termocentralin bërthamor të Zaporizhia në Ukrainë do të ishte “vetëvrasje”.
“Ne duhet t’i themi gjërat ashtu siç janë: çdo dëm i mundshëm në Zaporizhia do të ishte vetëvrasje”, paralajmëroi Guterres, duke bërë thirrje edhe një herë për “çmilitarizimin” e uzinës, të pushtuar nga ushtria ruse.
Duke folur “shumë i shqetësuar” për situatën në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, Guterres kërkoi që “të mos përdoret asnjë lloj operacioni ushtarak”.
Guterres do të vazhdojë vizitën e tij sot në Odesë, një port ukrainas vendimtar për rifillimin e eksporteve të grurit të bllokuar nga lufta.
Ndërkohë, inteligjenca e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, konfirmon se ka informacione për përgatitjen e një sulmi ndaj centralit bërthamor të Zaporizhias nga forcat e armatosura ruse.
Lajmi bëhet i ditur nga shtypi ukrainas. “Duke pasur parasysh numrin e armëve që gjenden aktualisht në territorin e termocentralit bërthamor, përveç bombardimeve të përsëritura provokuese, ekziston një probabilitet i lartë për një sulm terrorist në shkallë të gjerë në centralin bërthamor”, përfundoi Ministria e Mbrojtjes e Kievit.
Sipas CNN, një video e re që qarkullon në internet, tregon praninë e automjeteve ushtarake ruse të parkuara brenda sallës së turbinës të lidhur me një nga reaktorët e centralit bërthamor ukrainas të Zaporizhis, të pushtuar nga trupat e Moskës dhe në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të frikës së aksidenteve katastrofike.
Rrjeti televiziv amerikan, shton se videon e ka gjeolokuar dhe verifikuar si autentike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




