Jete & Stil

Japonia nxit të rinjtë që të konsumojnë alkool: Shpëtoni ekonominë

Në pjesën më të madhe të botës konsumi i alkoolit është një problem social. Disa vende ndalojnë reklamimin, e taksojnë fort dhe ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese për reduktimin e konsumit të tij. Në të tjera, konsumimi ndalohet rreptësisht, madje shitja e tij mund të çojë deri në burg e dënim me vdekje.

Por, as i pari dhe as i dyti nuk është rasti i Japonisë. Autoritetet vendase janë të shqetësuara nga fakti që brezi i ri nuk po konsumon sa duhet alkool dhe në këndvështrimin e tyre autoriteteve kjo po dëmton ekonominë.

Autoritetet thonë se konsumimi i sakes, pijes tradicionale japoneze e prodhuar nga fermentimi i orizit, ka rënë ndjeshëm në krahasim me disa vite më parë dhe kjo është përkthyer në më pak taksa të mbledhura nga shitjet e pakta.

Kjo është arsyeja se përse agjencia japoneze e taksave ka ndërmarrë një fushatë të quajtur “Sake Viva”, në një përpjekje për të nxitur të rinjtë që të konsumojnë alkoolin dhe veçanërisht pijen e tyre tradicionale.

Agjencia ka hapur një konkurs, ku fton të rinjtë nga 20 deri në 39 vjeç që të paraqesin projekte dhe ide se si mund të nxisin konsumin e sakes, uiskit, birrë, apo verës. Ekspertët japonezë vlerësojnë se shkak i rënies së konsumit është kriza financiare, pandemia dhe plakja e popullsisë.

Reagimi i publikut në lidhje me këtë nismë, sipas raportimeve të mediave japoneze, është i ndryshëm. Disa e kanë kritikuar si jo të shëndetshme për shoqërinë, të tjerë kanë nisur të publikojnë idetë e tyre në rrjetet sociale duke theksuar rëndësinë e nxitjes së këtij sektori për ekonominë.

Pjesëmarrësit në konkursin e hapur nga autoritetet duhet të dorëzojnë idetë e tyre deri në fund të shtatorit dhe më pas një sërë projektesh e idesh do të përzgjidhen për t’u financuar nga agjencia e taksave.

Sipas të dhënave zyrtare, në 2020 japonezët konsumonin mesatarisht 75 litra alkool në vit, nga 100 litra që konsumonin në vitin 1995.

Të ardhurat nga mbi alkoolin gjithashtu janë tkurrur ndër vite. Sipas gazetës The Japan Times, taksat mbi alkoolin përbënin 5 për qind të të ardhurave totale në vitin 1980, por në vitin 2020 arritën në vetëm 1.7 për qind të tyre.

Banka Botërore vlerëson se gati një e treta (29%) e popullsisë së Japonisë është e moshës 65 vjeç e lart – përqindja më e lartë në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë