Gazeta Si – Ish-shefi i Postës Policore të Dhërmiut, Sokol Bode kishte 4 ditë që ishte kthyer nga Britania, ku qëndronte i fshehur pas shpalljes në kërkim dhe dënimit në mungesë për përfshirje në trafik droge.
Edhe pse është befasuar në momentin që në shtëpinë e tij ka hyrë policia, 43-vjeçari nuk ka bërë rezistencë përballë ish-kolegëve të tij.
Sipas asaj që mëson Gazetasi.al, Bode ndodhej prej pak ditësh në banesën e tij në lagjen “Uznovë e Madhe” në Berat.
Nuk dihet se si ai ka udhëtuar nga Anglia drejt Shqipërisë dhe në cilat pika kufitare ka kaluar, pasi në sistemin TIMS rezulton i shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit policor, ai u gjet i shtrirë në divanin e shtëpisë së tij, teksa në momentin e arrestimit ka kërkuar vetëm 2 minuta kohë të ndahej me prindërit dhe të vëllanë me aftësi të kufizuara.
Gjatë mësymjes së policisë në banesë, nëna e të arrestuarit është ndjerë keq, ndërsa ky i fundit nuk ka bërë rezistencë, madje e ka qetësuar të ëmën duke i thënë: “Qetësohu, se kjo dihej”.
Në operacion morën pjesë forcat e DVP Berat dhe ato Shqiponja, i finalizuar rreth orës 21:25 të mbrëmjes së 11 gushtit.
Ai është sjellë në Tiranë në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa procedurat po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Sokol Bode u akuzua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas nga SPAK si i përfshirë në trafikun e drogës së bashku me grupin e Habilajve në Vlorë.
Në prill 2022 ish-shefi i Policisë së Dhërmiut, u dënua me 8 vite burg nga GJKKO për përfshirje në trafikun e marijuanës të kryer nga organizata kriminale e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.
Bode, bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, kanë drejtuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë gjatë viteve 2015-2016.
Ata akuzohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit. Akuza që qëndron mbi këta zyrtarë është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabis sativës në këtë qark.
Për të njëjtën çështje u dënuan me nga 3 vite e 4 muaj ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.