Drejtësia

Sokol Bodes i komunikohet masa e ‘arrestit në burg’ në GJKKO

Gazeta Si - Ish-shefit të Policisë së Postës së Dhërmiut Sokol Bode, i është komunikuar masa e arrestit në burg, si dhe dënimi i dhënë në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Pas dhënies së gjeneraliteteve përpara gjyqtares në Gjykatën e Posaçme, ndaj Bodes u vendos vazhdimi i masës së sigurimit 'arrest me burg'.

Ai u arrestua në Berat mbrëmjen e 11 gushtit pas 5 vitesh në arrati dhe më pas u transportua për në Tiranë.

Bode në prill u dënua me 8 vite heqje lirie për trafik të lëndëve narkotike e grup kriminal.

Sokol Bode kishte 4 ditë që ishte kthyer nga Britania, ku qëndronte i fshehur pas shpalljes në kërkim dhe dënimit në mungesë për përfshirje në trafik droge.

43-vjeçari u shpall fajtor pasi SPAK e akuzonte si bashkëpunëtor të grupit të Habilajve. Bode i hetuar në të njëjtën dosje me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dhe ish drejtorin e policisë Vlorë Jaeld Çela të dy të dënuar me nga 3.4 vite burg.

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë për grupin “Habilaj”, u renditën si provë e bashkëpunimit të anëtarëve të grupit me Policinë edhe disa përgjime telefonike.

Mes tyre, ishte biseda e Florian Habilajt me ish-shefin e Policisë Kufitare në Dhërmi, i cili e telefonon vetë për ta takuar në lagjen “Çole” në Vlorë.

Ndërsa janë zbardhur edhe disa biseda të përgjuara mes Armando Koçerrit, që u arrestua gjatë operacionit të Babicës, me motrën e tij, e cila e informon për aksionin e policisë që po zhvillohej në fshat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë