Raporti i kredive me probleme pësoi rënie në muajin qershor, pasi dy muajsh rritjeje.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, treguesi zbriti në 5.32%, nga 5.44% që kishte qenë në muajin maj.
Në periudhën prill-maj, raporti shënoi një rritje të lehtë me afërsisht 0.2 pikë përqindje. Kjo periudhë përkon me një rritje të shpejtë të inflacionit, në nivelin më të lartë prej më shumë se 20 vitesh.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 6-mujorin e parë të këtij viti, vlera e provigjioneve të llogaritura nga bankat për humbje nga kreditë kishte vlerën e 1.25 miliardë Lekëve, vlerë kjo pothuajse e njëjtë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për gjysmën e parë të këtij viti, kredia e re e dhënë nga sektori bankar shënoi nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit. Portofoli total i kredisë në fund të qershorit shënonte një rritje prej 12.3%, në linjë me nivelet e vitit të kaluar, para se ekonomia do të goditej nga vala e fortë inflacioniste. Edhe raporti i kredive me probleme ngelet pranë nivelit më të ulët në 13 vjet.
Pas afërsisht një dekade të uljes së vazhdueshme të normave të interesit deri në nivelet minimale historike, inflacioni i lartë ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të nisë një normalizim të shpejtë të politikës monetare. Prej marsit, norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 1.75%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



