Para

Qeveria do të arkëtojë 30 mld lek më shumë, por as gjysmën e tyre nuk do të shpenzojë

Qeveria ka shpërfillur thirrjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që të reduktojë praktikën e ndryshimit të buxhetit dhe ligjeve që kanë të bëjnë me financat përmes akteve normative dhe në një mbledhje të mbajtur më 29 korrik, dy ditë para nisjes së pushimeve ka ndryshuar buxhetin për këtë vit.

Ndryshimet e bëra përmes aktit normativ nuk janë pasqyruar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, por janë publikuar në Fletoren Zyrtare të hënën e 8 gushtit.

Sipas këtyre ndryshimeve, Qeveria parashikon të arkëtojë 30 miliardë lekë më shumë. Kjo shifër do të vijë tërësisht nga të ardhurat tatimore. Në buxhetin e miratuar në fund të nëntorit të vitit të kaluar, të ardhurat tatimore parashikoheshin 360.5 miliardë lek. Me rishikimin përmes këtij akti normativ, të ardhurat tatimore parashikohen në 390 miliardë lek.

Rritja i faturohet rritjes së çmimeve, ku qytetarët paguajnë më shumë TVSh dhe akcizë për mallrat që janë subjekt i këtyre dy taksave.

Ndërkohë, në buxhetin e miratuar para këtij akti normativ, Qeveria parashikonte një deficit buxhetor rreth 100 mld lek. Me rishikimin përmes aktit normativ, ky deficit ulet në rreth 83.8 miliardë lek.

Shpenzimet janë rishikuar me rritje gjithashtu, por rritja e tyre nuk është as sa gjysma e të ardhurave shtesë që do të hyjnë në buxhet si efekt i rritjes së çmimeve. Sipas aktit normativ, shpenzimet rriten me 13 miliardë lek. Gjysma e tyre parashikohet për paketën e rezistencës sociale, që do të jetë rreth 6.1 miliardë lek, ndërsa shpenzime të tjera janë edhe paketa e ndihmës miratuar për kompanitë ndërtuese të punëve publike me rreth 11 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë