Nga Gazeta “SI”- Ministrja e Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku tha se në këtë krizë energjitike, ku është e nevojshme siguria e sektorit, nuk mund të ndodhë mbështetja e plotë në burimet e rinovueshme.
Gjatë fjalës së saj, në tryezën e Sigurisë Energjitike me vendet e Open Balkan, Balluku tha se burimet e gjelbërta të energjisë nuk ofrojnë shumë siguri dhe se janë sensitive, për shkak se janë të varur nga faktorët atmosferikë, si era, dielli, shiu.
“Duhen burimet e qëndrueshme të energjisë, sidomos ato të gazit të lëngshëm. Ne kemi projektin e TEC-it të Vlorës dhe segmentin e IAP, të gazit. Projekti i Vlorës me kompanitë amerikane do të jetë projekt rajonal, ku mund të përfitojnë edhe shtetet jashtë Ballkanit të Hapur, për të qarkulluar gazin”, -tha ministrja Balluku, duke shtuar se projekti është në fazat e fundit.
Ajo përmendi se problemi kryesor është sigurimi i sasisë energjitike për të ardhmen dhe për këtë duhet bashkërendim midis vendeve, për të plotësuar mangësirat. Ministrja Balluku tha se gjatë fundjavës, kur Shqipëria duhet të eksportonte energji, u përball me çmime shumë të larta, nga 492 euro deri në 600 euro megavatorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.