Treg

ERE licencon KESH për prodhimin e energjisë nga TEC-et lundruese në Vlorë

Nga Gazeta ‘SI’ - Enti Rregullator i Energjisë, ERE ka miratuar licencën e Korporatës Energjetike Shqiptare, KESH për të prodhuar energji në TEC-i lundrues në Vlorë.

TEC-i i marrë me qira nga SHBA-ja, është i përbërë nga dy gjenerues; Tigri 1 dhe Tigri 3, me kapacitet prodhimi, 50 dhe 60 megavat respektivisht.

Licenca e KESH do të zgjasë për 2 vite, sipas njoftimit të ERE, po aq sa do të zgjasë dhe kontrata me firmën amerikane.

Më herët, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku pati treguar se prodhimi i energjisë nga këto TEC-e do të niste në fillim të vitit 2023, por pa një datë fikse. Balluku u shpreh se energjia e prodhuar nga këto TEC-e lundruese pritet të mbulojë 15 për qind të nevojës për energji elektrike që ka Shqipëria.

Anijet funksionojnë me gaz me anë të cilit prodhojnë energji elektrike.

KESH hapi janarin e vitit të shkuar një garë ku u shprehën të interesuar vetëm dy operatorët e konsorciumit Excelerate Energy – Renco. “Anijet” që prodhojnë energji do të operojnë deri në nisje të funksionimit të termocentralit të Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë