Shendet

Pse po na bien flokët në Shqipëri. Shumë po zgjedhin mesoterapinë

Ka shumë individë që vuajnë nga rënia e flokëve, e cila ndodh nga faktorë të ndryshëm.

Dermatologia Helena Dinkollari shpjegon për Gazetasi.al se ndër faktorët kryesor që mund të renditen janë të shumtë, duke nisur nga gjenetika e duke vijuar me dietën ushqimore.

“Për shembull alopecia e cila ndodh nga faktorë gjenetikë më së shumti ndodh më shumë te meshkujt. Zakonisht meshkujt kur kanë humbje gjenetike fillon te dy anësoret e kokës ose në pjesën e sipërme të saj”, thotë Dinkollari.

LEXO EDHE:
– ‘Trupi pandemik’, Si na ndryshoi epoka e Covid, nga rënia e flokëve te shtimi në peshë
– Ç’duhet të dimë për lidhjen midis rënies së flokëve dhe Covid-19
– Çfarë ju paralajmërojnë flokët për shëndetin tuaj

Sigurisht ndër faktorët kryesorë dermatologia rendit dhe hormonet e stresin. Ajo shpjegon se pas lindjes, rënia e flokëve mund të ndodhë te gratë për shkak të rënies së nivelit të estrogjenit, por stabilizohet me kalimin e kohës.

Dermatologia shton se kjo ndodh edhe në menopauzë, për shkak te ndryshimeve hormonale. Ndërkaq stresi, kontribuon më së shumti te moshat e reja për rënien e flokëve.

“Humbja e peshës në një kohë shumë të shkurtër, shkakton rënie të flokëve, pasi bie niveli i hekurit. Sidomos nga kequshqyerja. Tek vegjetarianët që nuk konsumojnë mish dhe duhet të stabilizojnë depozitat e hekurit ne organizëm me perime që kanë përmbajtje të lartë të hekurit”, shton mjekja.

Helena Dinkollari, Dermatologe-Gazeta “Si”-22.07.2022

Problematikat që nxisin rënien e flokëve vijojnë më tej më sëmundjet e ndryshme shëndetësore , medikamentet e ndryshme dhe mungesa e një rutine për mirëmbajtjen e flokëve.

Mjekja shton se problematikat e rënies së flokëve zgjidhet duke gjetur shkaktarin fillimisht.

Ajo shpjegon se sugjerohet marrja e suplementeve që duhet të kryesojnë si biotina, hekur, selenium, zink.

“Kujdes me krehrin, nuk duhet të ketë trauma gjate krehjes së flokëve për skalpin e kokës. Duhen përdorur produkte organike, si shampo dhe serum regjenerues”, shton më tej Dinkollari.

Mesoterapia një trajtim gjithnjë e më shumë i përdorur për flokët

Albana Lufi, Doktore Shkencash në Dermatologji-Gazeta “Si”-22.07.2022.

Mesoterapia është një metodë për rigjenerimin e flokëve që po përdoret shumë së fundmi.

Dermatologia Albana Lufi i shpjegoi Gazetasi.al se mezoterapia është metodë, e cila aplikohet në mjekësinë estetike me qëllim të rigjenerimin e zonës ku vendoset. Ajo shton se nga përfitimet kjo metodë kërkohet shumë për rigjenerimin e flokëve.

“Gjatë mezoterapisë injektohen përbërësit, si; vitamina, minerale, aminoacide, acidi hialuronik, antioksidant dhe të tjera, me injeksion, duke nxitur qarkullimin e gjakut dhe sistemin  imunitar, që të krijojnë efekt pozitiv biologjik dhe të eliminojnë çrregullimet fiziologjike”, shpjegon Lufi.

Duke ndaluar tek detaje të rëndësishme Lufi shpjegon se thellësia e penetrimit të gjilpërës për mezoterapi në lëkurë është rreth 2-4 mm.

Mjekja shpjegon se mezoterapia aplikohet sipas protokollit të përcaktuar dhe është individuale sipas moshës dhe gjinisë.

Mjekja thekson se mund të aplikohet në të gjitha pjesët e fytyrës dhe të trupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë