Keshilla

Ç’duhet të dimë për lidhjen midis rënies së flokëve dhe Covid-19

Njerëzit të cilët sëmuren me Covid-19 mund të kenë shumë simptoma. Rënia e flokëve është raportuar si një simptomë te njerëzit që janë rikuperuar nga Covid-19. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e klasifikon humbjen e flokëve si një efekt të mundshëm afatgjatë të Covid-19.

Një studim i CDC në nëntor mori në studim simptomat e Covid-19 në një grup të vogël me 63 pjesëmarrës. Nga këto, 14 persona raportuan rënie të flokëve.

Në këtë studim, koha mesatare nga fillimi i simptomës së parë të Covid-19 deri në rënie të dukshme të flokëve ishte 58.6 ditë.

Pse Covid-19 mund të shkaktojë rënie të flokëve?

“Ka një lidhje të ngushtë në fakt midis rënies të flokëve dhe covid-19”, thotë Elena Dinkollari, dermatologe.

Ajo shpjegon për Gazetasi.al se kjo ndodh për shkak se covid bën që imuniteti të jetë më i dobët dhe rrjedhimisht kjo reflektohet edhe tek rënia e flokëve. Faktori kryesor se pse flokët bien gjatë asaj periudhe është stresi që kalon çdo pacient, rënia që mund të pësojë në peshë dhe rënia e imunitetit.

Sipas dermatologes, ideale në këtë periudhë për ta parandaluar këtë problem është marrja e suplementeve dhe vitaminave shtesë përveç konsumit të dytë në dietën ushqimore dhe produktet specifike të flokëve si për shembull një serum me më tepër se 20 lloje vajrash, vitamina dhe vajra esenciale, specifik kundër këputjes, rënies do të ishte i mirë.

Rënia e flokëve që shihet pas Covid-19 është në përputhje me një gjendje të quajtur telogen effluvium (TE). Njerëzit me TE raportojnë rënie të flokëve që vjen papritur. Flokët zakonisht bien në tufa të mëdha, shpesh gjatë larjes ose dushit.

Elena Dinkollari, dermatologe

Shumica e njerëzve që zhvillojnë TE kanë humbje të dukshme të flokëve 2 deri në 3 muaj pas një ngjarjeje jo të zakonshme. Kjo zakonisht zgjat për 6 deri në 9 muaj. Pas kësaj periudhe, shumica e njerëzve zbulojnë se flokët e humbur rigjenerohen.

Si lidhet kjo me Covid-19? Një nga shkaktarët e mundshëm për TE është një sëmundje akute me ethe. Njerëzit të cilët janë sëmurë me Covid-19 shpesh përjetojnë ethe si një nga simptomat e tyre.

Cili është mekanizmi i TE?

Flokët kanë faza të ndryshme të rritjes. TE ndodh kur një stresues shkakton që një sasi e madhe e flokëve të ndalojë të rritet dhe të hyjë në fazën e pushimit (telogen).

Në fazën telogjene, qimet pushojnë për 2 deri në 3 muaj para se të bien dhe të lejojnë rritjen e flokëve të reja. Kjo është arsyeja pse rënia e flokëve për shkak të TE ndodh kaq shumë pas një ngjarjeje shqetësuese, të tilla si një sëmundje ose një periudhë shumë stresuese.

Çfarë është humbja e flokëve?

Të gjithë njerëzve ju bien flokët çdo ditë. Në fakt, është e zakonshme që një person të humbë 50 deri në 100 fije flokë në ditë.

Sidoqoftë, ndonjëherë flokët që bien nuk zëvendësohen me flokë të rinj, duke çuar përfundimisht në rrallimin e flokëve. Kjo quhet rënie e flokëve që në term mjekësor quhet alopecia.

A është e lidhur humbja e flokëve me Covid-19 të rëndë?

Një studim nga PubMed vlerësoi 175 njerëz të shtruar në spital me Covid-19. Studiuesit vunë re se një numër i lartë i pjesëmarrësve (67 përqind) kishin alopeci androgjenike, një formë e shpeshtë e rënies së flokëve.

Një tjetër studim po nga PubMed krahasoi 336 burra të shtruar në spital për Covid-19 dhe 1605 burra të shtruar në spital për arsye të tjera. Në studim u zbulua se personat që kishin probleme me rënien e flokëve ishin ato që ishin pozitiv me Covid-19.

Një studim i popullsisë në nëntor 2020 anketoi 43,565 njerëz dhe u zbulua se rënia e flokëve shoqërohej me Covid më të rëndë.

Cilat janë arsyet më të zakonshme të rënies së flokëve?

Shkaku më i zakonshëm i humbjes së flokëve është alopecia androgjenike. Ky lloj i rënies së flokëve është i trashëgueshëm, që do të thotë që ju mund ta trashëgoni atë nga prindërit tuaj. Alopecia androgjenike ndodh gradualisht kur plakeni dhe ka modele të parashikueshme për burrat dhe gratë.

Shkaqet shtesë të humbjes së flokëve mund të përfshijnë ndryshimet hormonale, përfshirë ato që ndodhin gjatë shtatzënisë dhe menopauzës, ose për shkak të tiroides, mungesa e hekurit ose mangësi të tjera ushqyese, stresi, disa ilaçe ose terapi, të tilla si ato që përdoren për të trajtuar kancerin, depresionin dhe presionin e lartë të gjakut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë