Shendet

Çaji mund të ulë rrezikun e goditjes në tru, por kujdes me temperaturën

Konsumimi i rregullt i çajit mund të lidhet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë goditjen në tru dhe sëmundjet koronare të zemrës. Megjithatë, sipas një studimi të ri, rëndësi kanë lloji, sasia dhe temperatura e pijes.

Studiuesit ndoqën afro 500 mijë persona në Kinë për një mesatare prej nëntë vitesh, duke analizuar konsumin e çajit dhe zhvillimin e sëmundjeve vaskulare. Rezultatet treguan se personat që pinin çaj të paktën tri herë në javë kishin një rrezik 11,2% më të ulët të përgjithshëm për këto sëmundje.

Lidhja më e fortë u vu re për goditjen ishemike në tru, me një ulje të rrezikut prej 36,6%, ndërsa për sëmundjet cerebrovaskulare u regjistrua një ulje prej 19,1%.

Çaji i zi dhe ai jeshil, me përfitimet më të dukshme

Sipas studiuesve, çaji i zi tregoi lidhjen më të fortë me një rrezik më të ulët të sëmundjeve vaskulare, i ndjekur nga çaji jeshil. Këto pije përmbajnë polifenole dhe flavonoide, përbërje bioaktive që kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore dhe mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të enëve të gjakut.

Studimi vuri në dukje gjithashtu se lidhja më e favorshme u vu re te personat që konsumonin gjashtë deri në tetë filxhanë çaj në ditë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kjo sasi është e nevojshme apo e përshtatshme për të gjithë.

Pse duhet shmangur çaji tepër i nxehtë?

Temperatura e çajit rezultoi një faktor i rëndësishëm. Konsumimi i çajit mesatarisht të fortë dhe jo tepër të nxehtë u lidh me rezultate më të favorshme, ndërsa pirja e tij në temperaturë shumë të lartë u shoqërua me një rritje prej 16% të rrezikut të sëmundjeve vaskulare.

Pijet tepër të nxehta janë lidhur edhe më parë me një rrezik më të lartë të kancerit të ezofagut, për shkak të dëmtimit që nxehtësia mund t’u shkaktojë indeve.

Çaji nuk zëvendëson një stil jetese të shëndetshëm

Studiuesit theksojnë se rezultatet tregojnë një lidhje mes konsumit të çajit dhe rrezikut më të ulët të sëmundjeve vaskulare, por nuk provojnë se çaji është shkaku i drejtpërdrejtë i këtij efekti.

Dell Stanford, dietolog i lartë në Fondacionin Britanik të Zemrës, i cili nuk ishte pjesë e studimit, paralajmëroi se dallimet në dietë dhe në stilin e jetesës mund të kenë ndikuar në rezultate.

Sëmundjet kardiovaskulare mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në Bashkimin Evropian, duke përbërë rreth një të tretën e të gjitha vdekjeve. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë rëndësinë e një diete të ekuilibruar, aktivitetit fizik dhe masave të tjera të provuara për parandalimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë