Para

Pasiguritë ekonomike, bizneset kërkuan më shumë kredi gjatë tremujorit, por bankat shtrënguan procesin

Nga Gazeta “SI”Standardet e kreditimit vazhduan të shtrëngohen për bizneset edhe gjatë tremujorit të dytë të 2022-shit, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë.

Bankat tregtare shtuan kujdesin gjatë kësaj periudhe lidhur me rrezikun e parashikuar për situatën makroekonomike dhe aftësinë paguese të bizneseve në vend.

Bankat ulën tolerancën ndaj rrezikut në financimin e investimeve, si pasojë e pasigurive të shtuara dhe luhatjeve të larta të çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare. Standardet për kreditë e dhëna u shtrënguan në të dyja kategoritë, si për biznesin e vogël e të mesëm, ashtu edhe për atë të madh. Rrjedhimisht, kreditë e miratuara për bizneset gjatë këtij tremujori ranë në raport me tremujorin e shkuar, ndonëse kërkesa për kredi ishte e lartë, në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit.

Në tremujorin e tretë të vitit 2022, bankat presin që, standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara, në të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit. Po ashtu, edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet priten të vijojnë shtrëngimin, si në kreditë për financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Nga ana tjetër, kreditimi për individët vijoi të lehtësohet, me standardet dhe kushtet mbi to, si për atë të banesave dhe atë konsumatore.

Të dyja llojet e kredive patën rritje kërkese, që sipas bankave atribuohet kryesisht nevojave të shtuara për kredi për financimin e blerjes së banesave. Gjithashtu, fushatat e ndërmarra nga bankat për kreditë konsumatore kanë nxitur shtimin e kërkesës për kredi në këtë tremujor.

Në tremujorin e tretë të vitit 2022, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu dhe ato konsumatore. Gjithashtu, ato presin që kërkesa për kredi të jetë sërish e lartë, si për blerjen e banesave, ashtu edhe për financimin e konsumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë