Gazeta Si - Gjykata e Posaçme i ka dhënë tre muaj kohë SPAK-ut të hetojë trafikun e kokainës të kapur në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit” që transporton banane në Shqipëri në portin e Durrësit.
GJKKO ka caktuar datën 13.10.2022 si afatin e fundit për të mbyllur hetimet, pasi SPAK thotë se po pret letër porosi nga Holanda dhe Ekuadori.
Për këtë aktivitet kriminal janë ndaluar dy vëllezërit, Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni, të cilët mohojnë përfshirjen në trafik droge dhe deklarojnë se merren vetëm me transportin e frutave.
SPAK ka dërguar letër-porosi në Ekuador e Holandë për kontaktet apo lëvizjet e Dautit dhe Gumenit dhe kontejnerëve të tyre. Kësaj kompanie ne harkun kohor 3 vite i janë kapur 6 sasi te ndryshme kokaine.
Eduart Dauti është administrator dhe aksioner me 90% i kompanisë “Alba Exotic Fruit”.
10% të aksioneve i ka Barjon Gumeni, i arrestuar në 13 korrik 2021, pas kapjes së ngarkesës së radhës me kokainë në kontejnerin e kompanisë. Ndërkohë, Barjon Gumeni ka ndryshuar emrin dhe është vëllai i Eduart Dautit.
Në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania e tyre, u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme.
I fundit ishte ai i 12 tetorit 2021, ku u kapën 10 kilogramë kokainë. Më herët, në 7 shtator u kapën 7.7 kg, në 13 korrik u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera.
Po ashtu, më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën 7.25 kilogramë kokainë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.