Para

Euro në tregun vendas barazohet me dollarin, eksportuesit të shqetësuar

Elementi sezonal dhe ardhja e turistëve të huaj e kanë dobësuar euron në nivelet më të ulëta historike.

Sipas kursit të këmbimit valutor në vend, një euro po shkëmbehet mesatarisht me 117 lekë duke u barazuar me dollarin amerikan.

Shumë analistë europianë thanë se ishte vetëm çështje kohe përpara se euro të arrinte një kurs këmbimi një me një me dollarin, ndërsa ekonomitë europiane vijojnë luftën me rritjen e çmimeve.

Por, sipas agjentëve të këmbimit valutor monedha këmbehet edhe më lirë në pika të ndryshme, shumë poshtë kursit zyrtar të bankës qendrore.

Faktorët që ndikojnë në këtë “tkurrje” sipas tyre lidhen  jo vetëm më prurjet e turistëve por edhe me ngadalësimin e ekonomisë europiane dhe frikën në rritje për recesion. 

“Rritja e prurjeve nga sezoni turistik po rrit ofertën e Euros në treg duke ndikuar në nënçmimin më të madh historik të valutës europiane. Në vijim në muajin korrik por edhe më tej në gusht, ne parashikojmë që euro të prekë nivelet më të ulëta të viteve të fundit.

Presionet inflacioniste gjithashtu kanë “mbërthyer” ekonomitë e shumë vendeve të cilat po vuajnë pasojat e një lufte pa afat. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në këtë dobësim të euros”, thotë për Gazetasi.al Dritan Poka, agjent këmbimi valutor.

Ai shton mandej se qarkullimi i më shumë eurove në tregun vendas por edhe rritja e remitancave që kanë sjellë emigrantët po ndikojnë dukshëm.

“Ky forcim i Lekut ndaj Euros, që është edhe monedha kryesore në këmbimet e tregtisë së jashtme të vendit, ka një efekt amortizues në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare”, shton mandej ai.

Për qytetarët apo bizneset që kanë marrë një hua në euro kjo është një periudhë e favorshme pasi këstet e kredive janë më të lira në valutë si dhe për ata që zgjedhin të bëjnë pushime jashtë vendit duke përfituar nga dobësimi i euros.

Po ashtu, rënia e euros i bën importet më të lira pasi pjesa më e madhe e tyre bëhen në këtë valutë.

Nga ana tjetër, eksportuesit janë të shqetësuar.

Duke qenë se shumica e shpenzimeve të tyre janë në lek, të ardhurat më të pakta të tyre si pasojë e uljes së vlerës së euros ju shkaktojnë probleme serioze në përballimin e kostove të prodhimit e pagave. Nëse situata vazhdon për një kohë të gjatë, bizneset sipas eksportuesve edhe mund të rrezikojnë falimentimin.

Monedha europiane po dobësohet edhe në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, euro tregtohet për rreth 1.02 dollarë, niveli i saj më i ulët në dy dekada.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë