Jete & Stil

‘Shfrenimi’ në mbrëmjen e maturës shqetëson ekspertët

Gazeta “Si”- Lamborgini, X6 apo Range Rover, fustanë përrallorë dhe një “luftë” për të qenë në qendër të vëmendjes është pamja që na serviret në çdo mbrëmje mature prej vitesh tashmë, me dozën e madhështisë që është gjithmonë në rritje.

A është normale që të rinj të moshës 17-18 vjeçare të shkojnë në mbrëmje të maturës me makinat e fundit dhe të shpenzojnë para për t’u kujdesur edhe për detajin më të vogël?

Psikologe Jonida Haxhiu thotë për Gazetasi.al se gjithë maninë për të rënë në sy në këtë mënyrë e shikon si problem.

“Në një farë mënyre është reflektim i ndikimit që në ditët e sotme ka “tjetri”, duke theksuar që pavarësisht se gjithmonë ka ekzistuar ky ndikim, mediat sociale e kanë shumëfishuar”, thotë Haxhiu.

Ajo shton se shpenzimet marramendëse për aktivitete të tilla, patjetër që lidhen me problemin e madh të këtyre individëve (maturantëve) për të kuptuar e vendosur prioritetet në jetën e tyre, në mënyrë që të parandalojnë një investim të panevojshëm shpirtëror e ekonomik në një event, sikurse është mbrëmja e maturës.

“Do të doja të përfshija këtu edhe prindërit e familjen”, si personat të cilët kanë privilegjin por edhe detyrimin e orientimit të një fëmije e më pas adoleshenti, drejt shpenzimeve të arsyeshme, përfshirjes logjike emocionale në aktivitete të caktuara, mos ndikimi nga mediat sociale, etj. si “bashkëfajtorë” në këtë trend.

Ndërkohë, psikologe Ariana Muça thotë për Gazetasi.al se ky fenomen tashmë është kthyer në një traditë të njohur për prindërit shqiptarë.

Muça thotë se ky fenomen shihet edhe në vende të tjera të botës dhe është në rregull derisa bëhet “një mësim i keq”.

Psikologe Ariana Muça, Gazeta Si, 4 korrik, 2022.

Të mbarosh maturën do të thotë një kalim shumë i rëndësishëm për individin. Muça thotë se fëmija mezi e ka pritur të quhet “i rritur” dhe kjo ekspozohet edhe nga dëshirat që ata parashtrojnë për mbrëmjen e maturës.

“Nuk ka asgjë të keqe të shkosh në mbrëmjen e maturës me një makinë luksoze por ta ushqesh fëmijën se mjetet e luksit të rrisin reputacionin, prestigjin, është e gabuar”, thotë Muça.

Ajo shton se këto episode tregojnë edhe njëherë se dalëngadalë po humbasim vlerat humane.

“Mbrëmja është dhe për atë që ka një nivel financiar të mirë por edhe për atë që nuk e mbyll dot si familje muajin ekonomikisht. Kjo duhet të na shqetësojë”, tregon Muça duke shpjeguar se çdo event ka një kod veshje të cilin ne i kemi harruar pasi modeli që na serviret është luksi i shfrenuar.

Fëmijëve duhet t’u flitet për rëndësinë e asaj mbrëmjeje, ndarja sipas drejtimeve që do të marrin si dhe ndarja nga ideja e mësuesit kujdestar.

“Morali dhe respekti duhet të prevalojnë mbi makinën e bukur dhe makiazhin e rënduar”.

Muça përfundon duke thënë se problem sot janë prindërit të cilët mendojnë se me lekë arrihet çdo gjë, gjë që e përcjellin tek psikologjia e fëmijës dhe pastaj “kemi dhe këto mbrëmje luksi që ngjasojnë me VIP-at e shoqërisë tonë në mbrëmjet që organizojnë”.

Sociologe Entela Binjaku thotë për Gazetasi.al se në rastin e festave të maturës me makina dhe luks ndërthuret jo vetëm nevoja për përkatësi në një grup të caktuar por edhe nevoja për të ngjarë me të tjerët, nevoja për të ndarë me të tjerët të njëjtat ndjesi të gëzueshme ose për të gjetur modele që ja vlejnë të ndiqen sipas të rinjve.

“Pyetja që duhet të shtrojmë është çfarë ndodh me ata të rinj që nuk arrijnë të identifikohen me një grup dhe që nuk gjejnë dot një qëllim në jetë?”

Në këto raste, thotë sociologia, lind ndjesia e papërshtatshmërisë, e kotësisë, ndjesia e përjashtimit, dhe çrregullimet e ankthit dhe të depresionit. “Zakonisht dëshira për përkatësi në një grup i çon edhe në sjelle antisociale, agresivitet fizik apo verbal, konsum të duhanit apo substancave etj”, përfundon Binjaku.

Psikologe Arjana Dengu gjithashtu thotë për Gazetasi.al se ky fenomen është bërë një ‘kërcënim’ edhe për prindërit të cilët kanë filluar të ndjehen fajtorë nëse fëmija e tyre nuk ka veshje aq të shtrenjta sa bashkëmoshatarët e tyre.

“Çfarë të vesh?” është kthyer në një problem për të gjithë adoleshentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë