Para

Garancia sovrane për importuesit e ushqimoreve, Qeveria do të mbulojë 60 për qind

Qeveria do të mbulojë me garanci sovrane deri në 60 për qind të kredive të marra nga kompanitë e mëdha të importit të mallrave të shportës për të garantuar furnizimin e tregut për një periudhë minimumi tremujore.

Sipas ndryshimeve të propozuara në aktin normativ të dorëzuar në Kuvend, përzgjedhja e bizneseve do të bëhet nga bankat e nivelit të dytë, ku kjo kategori përfituesish duhet të aplikojnë për të përfituar nga garancia sovrane.

Gjatë mbrojtjes së ndryshimeve ligjore para Komisionit të Ligjeve, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave u shprehën se garancia sovrane aktivizohet vetëm në rastet e kredive të këqija.

Por, deputetët e opozitës ngritën dyshime se skema mund të përdoret për të krijuar klientelizëm dhe favorizuar një grup biznesesh të mëdha që prej muajsh kanë përfituar nga rritja e çmimeve dhe shtuar fitimet në arkën e tyre.

“Këto biznese kanë 4 muaj që i kanë rritur çmimet dhe nuk janë më i madh, por shumë më i madh dhe ju tani do t’u jepni edhe një kredi me garanci sovrane. Përzgjedhja e atyre që duhet të kenë garanci dhe të magazinuar në tre muaj, do të përzgjidhen me prokurim publik, apo do të futen të gjithë?”, ngriti pyetjen deputetja, Dhurata Çupi.

Sipas Çupit, me këtë skemë qytetarët rrezikojnë që të paguajnë dy herë; një rritjen e çmimeve dhe më pas edhe kredinë e biznesit që garantohet nga shteti.

Por, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave thanë se garancia sovrane aktivizohet vetëm kur biznesi e ka të pamundur shlyerjen e saj dhe deri në masën 60 për qind. Kjo është hera e tretë që Qeveria synon miratimin e paketave të garancisë sovrane.

Dy të parat u dhanë për biznesin e madh dhe biznesin e vogël për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia. Sipas të dhënave të paraqitura në Komisionin e Ligjeve nga Ministria e Financave janë rreth 1 mijë biznese që kanë përfituar nga garancia sovrane në dy paketat e mëparshme dhe deri më tani nuk ka asnjë rast kur kjo garanci të jetë aktivizuar.

“Nuk ka asnjë kredi të keqe deri më tani. Nuk është përdorur asnjë qindarkë nga garancia shtetërore”, deklaruan përfaqësuesit e Ministrisë së Financave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë