Në katërmujorin e parë,në vend kanë hyrë 1.07 milionë shtetas të huaj.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit më parë, hyrjet e tyre janë rritur me 42%.
Mbërritjet e turistëve janë vetëm 3% më të ulëta se katërmujori i 2019-s i cili deri tani është konsideruar si viti më i mirë i turizmit.
Hyrjet nga Greqia u gjashtëfishuan, teksa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin pothuajse të paralizuara. Shtetasit nga Italia pothuajse u trefishuan, nga Spanja u pesëfishuan, nga Anglia u gjashtëfishuan.
Ndërsa hyrjet nga Kosova janë ulur me 14%.
Hyrjet dhe daljet
Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Prill 2022, janë 832.920. Krahasuar me Prill 2021, ky tregues rezulton me një rritje 78.6%. Në Prill 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 402.051. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 66.8%.
Gjatë katërmujorit të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rënien më të ndjeshme me 13.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021
Pothuajse dyfishohen dhe daljet e shtetasve
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2022, janë 834.528 duke shënuar një rritje me 85.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2022 janë 449.294. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 2 herë. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Prill 2022, janë 385.234. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 75.5%.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë katër muajve të parë të 2022, është 1.502.984 duke u rritur 52.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.