Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo metaforike shumë sociologë e psikologë thonë se “edhe të burgosurit harxhojnë më shumë kohë në ambientet e hapura sesa pjesa më e madhe e fëmijëve”.
Lorena është një vajzë 5-vjeçare e cila kohën e lirë e kalon në çdo mënyrë tjetër përveç se duke luajtur lojëra fizike.
Mamaja e saj pohon për Gazetasi.al se ajo është munduar që vajza ti kushtojë kohë më shumë numrave dhe shkronjave.
“Në fakt nuk luan lojëra fizike. I vetmi aktivitet i tillë nëse mund të quhet është ecja në park apo lojërat me kukullat”, thotë D.N. Ajo shton se as lojërat me kukulla nuk ngjajnë me lojën ‘shtëpiash’ që e luanim dikur.
Sot janë të paktë fëmijët që dinë të luajnë edhe lojërat më të njohura që luheshin dikur dhe kjo sjell probleme afatgjata.
Psikologe Migena Kurushi thotë për Gazetasi.al se lojrat fizike thuajse janë harruar fare.
“Janë të rrallë fëmijët të cilët mund të luajnë me peta, topa-djegsi,etj”, thotë Kurushi.
Kurushi tregon se në vend të lojërave fizike, fëmijët bashkëveprojnë me fëmijët e tjerë në aktivitete që fokus kanë përgatitjen akademike.

“Ka prindër të cilët në moshën 1-3 vjeçare kërkojnë që fëmijës t’i mësojnë ngjyra, numra, shkrim, mbajtje lapsi etj”. Kështu neglizhojnë aplikimin e lojërave veçmas apo bashkë të fëmijëve.
Psikologia tregon se merr pyetje të panumërta sesi mund të fillojnë fëmijët përgatitjet akademike dhe shumë pak pyetje mbi lojërat që duhet të luajnë prindërit me fëmijët e tyre.
Sociologu Gëzim Tushi tregon për Gazetasi.al se kalimi i kufijve të shoqërisë dhe familjes tradicionale shqiptare, të cilat lojën dhe aktivitetin e pavarur, madje të lirë dhe të pastrukturuar të fëmijëve e kishin “limfën bazë” të rritjes së fëmijëve, krahas arsimit dhe edukimit, në shoqërinë postmoderne “që ka në qendër të saj ankthin për suksesin, rezultatet në shkollë të fëmijëve, garën dhe konkurencën, e ka nxjerrë lojën moshore, të lirë dhe të vërtetë në pozicione pasive e në periferi të interesave të tyre”.
Lojërat fizike kanë një ndikim afatgjatë
Sociologu thotë se në vlerësimin sociologjik, duke parë raportet e përmbysura të fëmijëve me lojën, “mund të themi se në shoqërinë shqiptare kultura e lojës ka pësuar ndryshime thelbësore, në sasi kohore, intensitet dhe vlerësim edukativ”.
Largimi i fëmijëve nga natyrshmëria e lojës, si aktivitet moshor me rëndësi për zhvillimin e tyre fizik, psikologjik, social, emocional sipas Tushit ka sjellë një dëmtim të dukshëm të strukturës së motivimit të brendshëm moshor tek fëmijët. Mbingarkesat shkollore, kërkesat e rrepta të njëanshme të alarmit të prindërve vetëm për mësime e rezultate në shkollë, kurset e pafundme jashtëshkollore, janë disa nga shkaqet kryesore të reduktimit anormal të kohës së lirë të fëmijëve, të asaj kohe që ata duhet t’ia kushtojnë lojës me shokët dhe shoqet e tyre për zhvillim e argëtim.
“Edhe kur në ndonjë rast u krijojmë kushte për lojë fëmijëve tanë, më së shumti i çojmë ata në “lojëra detyruese” të cilat jo gjithnjë janë në përputhje me “imagjinatën e lirë” të fëmijëve, me dëshirat e pastrukturuara dhe qëllimet spontane moshore”.
Ky fenomen është në zgjerim, thotë Tushi. Liria e fëmijëve shqiptarë po “kufizohet” në kohë dhe po kushtëzohet nga faktorët e jashtëm sikurse janë “diktatura” apo “despotizmi prindëror” që përcakton se si duhet të sillet fëmija, dhe kur duhet e mund të luajë.
Tushi shton se kjo gjendje është me pasoja serioze.
Sipas Tushit, kjo situatë është alarmante dhe me pasoja, sepse nëse zvogëlohet koha e lojës për fëmijët, atëherë ata nuk vetëzhvillohen në mënyrë të natyrshme e në përputhje me veçoritë e moshës, por duke qenë të drejtuar e të diktuar nga të tjerët.

Ideja absurd që po lulëzon dhe iluzioni se koha e lojës së lirë mund të zëvendësohet me kohën dixhitale të fëmijëve, duke i mbytur me lojëra teknologjike, “është sa absurd dhe edukativisht irracionale”.
Ideja e “teknoprofecisë” apo e mendimit naiv se mjetet dixhitale dhe lojërat elektronike thotë Tushi, mund të bëhen zëvendësues të lojës së lirë e të vërtetë, është një gabim trashanik dhe me pasoja thelbësore shëndetësore, me ndikim në shëndetin mendor dhe shfaqjen e sjelljeve asociale si vetmia, bullizmi, agresiviteti dhe forma të tjera të patologjive mendore.
Tushi përmend edhe faktin se ideja për të zëvendësuar “lojën në natyrë” me “lodra argëtuese të prodhuar në fabrika” është totalisht e pavërtetë dhe krejtësisht e gabuar. Këto lojëra nuk i mësojnë fëmijët si të socializohen dhe si të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në distancë elektronike.
Fëmijët janë duke u bërë viktima të koncepteve sociale të individualizmit, garës, suksesit me çdo kusht dhe frikës nga dështimi. Tushi thotë se nuk është rastësi që kohët e fundit janë shtuar fëmijët që të ndodhur në këtë situatë kanë pësuar çrregullime mendore apo të sjelljes.
Kurushi tregon se me anë të lojës fizike, një fëmijë zhvillohet në aspektin kognitiv, fizik, social dhe emocional. Gjithashtu lojërat fizike lidhen edhe me një kujtesë të fortë dhe me një aftësi të shtuar e të menduarit kritik.
“Me anë të lojës fizike fëmija eksploron botën e kupton rolin e tij në të. Mëson konceptin e shkakut e të pasojës”, thotë Kurushi..
Të gjitha këto mund të arrihen vetëm duke e lejuar fëmijën të luajë, të prekë, të ndjejë, të eci, vrapojë, rrëzohet, shijojë etj.
“Detyra jonë është të kuptojmë vlerën absolute që ka kultura e lojës për zhvillimin e gjithanshëm dhe organik të fëmijëve tanë”, përfundon Tushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



