Kreditimi i ekonomisë vijoi në tendencë rritëse edhe gjatë marsit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar disbursoi mbi 28 miliardë Lekë kredi të reja, 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë në shtatë vitet e fundit.
Vlera totale e kredive të reja të dhëna në tre muaj arriti në 65.7 miliardë Lekë ose rreth 540 milionë Euro, pothuajse 37% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Të dhënat e tremujorit të parë tregojnë se kredia e re për bizneset arriti në 42.7 miliardë Lekë, me një rritje prej 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kreditimi në segmentin e individëve po vijon tendencën pozitive edhe gjatë këtij viti. Për tremujorin, huaja e re për individë arriti në 19 miliardë Lekë, me një rritje prej 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ecuria e mirë e huadhënies së re po reflektohet edhe në portofolin total të kredisë. Në fund të muajit mars, ky portofol arriti vlerën e 683 miliardë lekëve, ose rreth 5.6 miliardë Eurove.
Kredia po ruan ritme të rritje vjetore dyshifrore, me 11.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Portofoli i individë vazhdon të ketë ritmet më të larta të rritjes, me 13.6%, ndërsa në segmentin e bizneseve rritja është 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



