Para

Bankat tregtare vështirësuan kredimarrjen për bizneset, por e lehtësuan për konsumatorët

Banka e Shqipërisë raporton se është vështirësuar kreditimi për bizneset e mesme dhe të vogla (SME) gjatë tremujorit të parë 2022. Ndërkohë, standardet e kreditimit për bizneset e mëdha kanë qenë të pandryshuara dhe për konsumatorët kanë vazhduar lehtësimin.

Sipas BSH-së, faktorët që sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset ishin të lidhur me perceptimin e rrezikut për situatën ekonomike në vend, aftësinë paguese të kredimarrësve dhe kolaterali.

Po  ashtu,  edhe  toleranca  më e  ulët  e  bankave kundrejt  rrezikut  ndikoi  në  shtrëngimin  e  standardeve. Në  kahun  lehtësues,  ndikuan  kostot  dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci i bankave.

Bankat presin që në fakt shtrëngimet e kreditimit për SME-të të vazhdojnë edhe tremujorin e dytë, sidomos në kreditë për qëllime investimi.  

kredia per bizneset

Kushtet  dhe  termat  e  përgjithshëm  mbi  kreditë  e  reja  për bizneset u vështirësuan përshkak të elementëve çmim, ashtu edhe ato joçmim. Kështu, bankat raportuan marzhe  më  të  larta mbi kreditë me  rrezik, reduktuan  madhësinë  e  kredisë akorduar bizneseve,  si  edhe  shtuan  numrin  e kushtëzimeve  në  marrëveshjet  e  kredisë, të nënshkruara mes bankave dhe bizneseve.

Shkalla  e  miratimit  të  kredive  për  bizneset u  raportua  më  e  ulët në  tremujorin  e parë  të  vitit.

Kështu, perceptimi i bankave  për rrezikun lidhur me perspektivën e sektorit ku operojnë bizneset, me gjendjen financiare të bizneseve; faktorët e lidhur me kuadrin e politikave të kreditimit të bankave, me aftësinë paguese të kredimarrësit.

Po ashtu lidhet edhe me historikun e kreditit nga regjistri i kredive dhe statusin e kredive aktuale. Të gjitha keto ndikuan në shtimin e numrit të refuzimeve për kredi gjatë këtij tremujori.

I vetmi element me ndikim rënës në shkallën e refuzimeve u raportua historiku i marrëdhënieve të biznesit me bankën.

Bizneset, nga  ana  tjetër,  kanë  shtuar  dukshëm  kërkesën  për  kredi  për  të  katërtin tremujor me radhë, me qëllim financimine investimeve të planifikuara dhe të inventarëve e kapitalit qarkullues, në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit.

 Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e parë. Njëkohësisht bankat lehtësuan edhe kushtet e termat për kreditë e reja akorduar individëve.

Shtimi i konkurrencës në sistemin bankar duket  se ka  shtyrë  bankat  të aplikojnë  politika  më  lehtësuese  për  kreditimin  e individëve gjatë  këtij tremujori.

Kjo reflektohet dhe në shkallën e miratimit të kredive, e cila, sipas raportimit të bankave, shënoi  rritje edhe  këtë  tremujor.  Kërkesa  për  kredi  ishte  e  lartë, sidomos në  kreditë  për  blerjen  e banesave.

kredia per konsumatoret

Bankat presin që e njëjta situatë të jetë dhe për tremujorin e dytë 2022. Kështu, bankat pritet të vijojnë kujdesin e shtuar kundrejt kreditimit të bizneseve, ndërkohë që për individët të mbajnë një përqasje më lehtësuese kreditimi. Kërkesa për kredi, si nga ana e  bizneseve  ashtu  edhe  e  individëve,  pritet  të vijë  në  rritje.  Shtimi  i  kërkesës  për  kredi  në  të  dyja kategoritë pritet të jetë me bazë të gjerë, në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë