Treg

Fasoni dhe Call Centeri, sektorët ‘më të etur’ për punëtorë këtë vit

Numri total i punonjësve të rinj që do të shtohen gjatë 2022-shit vlerësohet të jetë rreth 44 mijë persona sipas të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Punësimit dhe studimeve të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, të realizuara nga PNUD. Ky kontigjent përfaqëson 10.8% të forcës aktuale të punës.

Call Center-i sipas të dhënave është sektori më aktiv i rekrutimit të punonjësve të rinj sëbashku me industrinë e prodhimit të veshjeve.

Me zbehjen e ngadaltë të efekteve të pandemisë jo pak biznese në Shqipëri e panë veten në kushtet e mungesës së punonjësve.

Fasonet prej disa kohësh përballen me mungesë të stafit dhe këtë vit kërkojnë 20 mijë punonjës shtesë. Ndërsa sektori i Call Center ka shprehur preferencat për të punësuar 1000 punonjës të rinj për 2022-shin.

Edvin Prençe, kryetari i Shoqatës Pro-Eksport tha disa kohë më parë për Gazetasi.al se aktualisht sipas INSTAT janë rreth 55.000 të punësuar në fasoneri dhe sektorit në përgjithësi i mungojnë mbi 15.000 punonjës të cilët me patjetër do detyrojnë bizneset të plotësojnë vendet e lëna bosh me punëtorët pa eksperiencë por edhe të huaj.

Edvin Prençe

“Duhet tashmë që çdokush nga ne ta kuptojë që në një ekonomi të hapur dhe globale, me shumëllojshmëri ofertë/kërkese nuk mund të quajmë tabu ose gabim marrjen e punonjësve të huaj. Ajo është një nevojë emergjente dhe madje ndikon në  rritjen zhvillimin e vendit tonë”-tha ai referuar faktit që shumë punëtorë po vijnë nga Bangladeshi dhe nga Nepali.

Punëtorë nga Bangladeshi duke punuar në një fabrikë në Shqipëri

Pas tyre, kamerierët janë profesioni më i ofruar në vend.

Punëdhënësit janë pesimistë për gjetjen e punonjësve të rinj, sidomos në disa aktivitete specifike të shërbimeve, si informacioni dhe komunikimi.

Njoftim i afishuar gjatë sezonit të verës, kur shumë punëtorë lanë punën

Faktori kryesor është dëshira për të lënë Shqipërinë sipas specialistëve të fushës së konsulcencës në biznes. Ata “gënjehen” nga eksperienca e të tjerëve dhe largohen nga Shqipëria për në Gjermani, Angli, Itali.

“Nuk është problemi tek paratë. Janë rritur në një frymë të tillë, ku para se të punojnë për dikë, sidomos në një sektor si ai shërbimeve, zgjedhin të investojnë vetë ose alternativa më të shpejta të të ardhurave”, tha disa kohë më parë për Gazetasi.al një pronar kafeneje i cili kërkonte kamerierë.

Bizneset, sidomos ato në jug të vendit që po përgatiten për sezonin e ri veror, ende nuk kanë gjetur staf edhe pse jemi në prag të sezonit.

Pronarët e hotelit “Wait’n sea” thonë për Gazetasi.al se ata i frikësohen ripërsëritjes së fenomenit të largimit nga puna në kohën kur duhen më shumë dhe kanë frikë se do duhet t’i përballojnë vetë punët në hotel, duke u angazhuar familjarisht.

Operatorët nga sektori i shërbimeve shpjeguan herëpashere për Gazetasi.al se sa të vështirë e patën të menaxhonin rebelimin masiv të punonjësve pikërisht atëherë kur kishin më shumë nevojë për ta dhe shtuan se i druheshin përballjes me të njëjtën situatë.

Më e lehtë për të gjetur punonjës është në Rajonin Qendror sesa në tre rajone të tjera të Lindjes, Jugut dhe Veriut. Punëdhënësit deklaruan se e kanë të vështirë për të gjetur punonjës me aftësi, përvojë, korrektesë, integritet dhe motivim për llojin e punës që bëjnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë