Filma

Fëmijë të dhunës apo fëmijë të lirisë? Filmi që rrëfen dramat që la komunizmi

Nga Luljeta Nelallari – Një vajzë shqiptare në kërkim të identitetit të saj… E lindur në Shqipëri nga një nënë artiste, në vitet ’90 ajo do të emigronte si shumë shqiptarë të tjerë. Pas jetesës në një vend perëndimor me profesion gazetare, pas shumë vitesh ajo kthehet në Shqipëri për të bërë një reportazh për Nënë Terezën. Pas kthimit, ajo do të përballet me shumë të vërteta…

Kjo fabulë që të grish që në titull “Këtu vallëzohet me hijet”, sapo ka nisur rrugëtimin e ekranizimit.

Pas shfaqjes së filmit “Ndërkombëtarët”, regjisori i njohur i filmit artistik dhe dokumentarëve, Pluton Vasi ka nisur xhirimet e filmit me metrazh të gjatë “Këtu vallëzohet me hijet”.

Mbështetur te një skenarist si Bashkim Hoxha, filmi do ta përballë shikuesin në dy kohë, të shkuarën dhe të tashmen.

Filmi që ka nisur xhirimet që në fund të marsit në Shkup të Maqedonisë, është një prodhim i kompanisë “Artfilm P&D”, me producente Vjollca Dedei, në bashkëprodhim me kompaninë e Maqedonisë së Veriut “Dardania Film” dhe kompaninë gjermane “Looksfilm”.

Skenaristi Bashkim Hoxha shprehet për Gazetasi.al se ngjarjet e filmit zhvillohen në dy kohë, ku e shkuara ende i ngatërrohet nëpër këmbë të sotmes.

“Fëmijë të dhunës apo fëmijë të lirisë? Kjo është dilema përpara së cilës gjendet Flora, që ka ardhur në qytetin e saj të lindjes për të bërë një reportazh për Nënë Terezën. Për shenjtoren e madhe, ajo gjen fare pak gjurmë, por gjatë këtij inkursioni ajo zbulon një të vërtetë tronditëse për jetën e shenjtores së vogël, nënës së saj, dhe ndjehet krenare për mënyrën se si nëna e saj e bukur dikur zgjodhi për të të rritej si bijë e lirisë në kushtet e pamundura të kohës…”, rrëfen për Gazetasi.al skenaristi Bashkim Hoxha.

Regjisori Pluton Vasi dhe skenaristi Bashkim Hoxha

Producentja Vjollca Dedei do të zbulojë për Gazetasi.al se roli i Florës, ai i gazetares që rikthehet në vendlindje i është besuar aktores Rovena Lule.  

Dedei thekson se përmes personazhit të Florës i gjithë filmi orvatet të nxjerrë në pah statuset psikologjike të marrëdhënies së njerëzve mes tyre dhe me shtetin ku ndërthuren dramat e secilit personazh, që vetëm në një sistem si komunizmi mund të shpërfaqeshin.

“Dy jetë të ndryshme në kërkim të identiteteve të tyre, kaq shumë të trazuara nga e shkuara. Një sekret i të shkuarës, një marrëdhënie për jetë a vdekje, që vetëm një sistem si komunizmi mund ta prodhojë, do të shtrijë tentakulat e tij në ditët e sotme. Një marrëdhënie e të djeshmes midis individit dhe shtetit me të gjitha mizoritë, do të sjellë një dilemë që do të kërkojë zgjedhje sot”, shprehet producentja Dedei për Gazetasi.al.

Nga njëra anë është Flora në kërkim të identitetit të saj, e nga ana tjetër është Ziguri, i interpretuar nga aktori Karafil Shena që sipas Dedeit “është strumbullari i gjithë ngjarjeve”.

Për të krijuar besnikërisht sfondin e fabulës e për t’i sjellë sa më afër këto ide dhe ngjarje, regjisorit i është dashur të xhirojë në zona të ndryshme të Shqipërisë, por filmi do të ketë edhe skena në Kosovë e Maqedoni,  pasi personazhi kryesor për të realizuar reportazhin për Nënë Terezën përveç takimeve me të afërmit e shenjtores në Tiranë, do të shkojë edhe në Maqedoni, të regjistrojë vendin ku ka lindur Nënë Tereza, ku ka shtëpinë në Shkup, apo nga ka dalë në manastirin e Strugës.

“Vendet e xhirimit janë Shkup, Maqedonia e Veriut, Letnicë, Kosovë, Shkodër, Durrës, Tiranë. Filmimet kanë filluar në datë 30 mars në Shkup, për të vazhduar në Letnicë dhe aktualisht po filmojmë në Shkodër. Filmimet pritet të mbarojnë në fund të muajit prill”, vijon producentja Dedei për Gazetasi.al.

Skenaristi Bashkim Hoxha e cilëson këtë film si një histori me sfond politik, por pa fjalorin e politikës.

“Politika vjen e tretur në fate njerëzore dhe në historitë personale të personazheve që lëvizin midis dy kohëve, që ende nuk janë shkëputur nga njëra-tjetra plotësisht. Ngjarjet e skenarit, unë kam dashur të zbulojnë natyrshëm kontrastin: si mbahet ndezur brenda shpirtit liria, aty ku liria mungon, si lind mirësia atje ku njerëzorja është fashitur”, vijon Hoxha për Gazetasi.al, ndërsa shton se “regjisori Pluton Vasi ka bërë një zbërthim regjisorial të thellë të këtyre ideve dhe ngjarjeve dhe ka zgjedhur një staf të mrekullueshëm aktorësh dhe një ekip që në frymë grupi po punojnë me shumë dashuri”.

Dedei vë në pah se deri tani po ia dalin mirë, pasi kanë një kastë të mirë aktorësh. 

“Kemi një kastë të mirë aktorësh duke nisur nga Rovena Lule Kuka, e cila ka luajtur me sukses disa filma artistike si ‘Maya’, ‘Delegacioni’, ‘Ndërkombëtarët’. Eri Shuka, e cila është shqiptare që jeton në Britaninë e Madhe ku ka një karrierë të suksesshme atje dhe po përmend vetëm punën e saj më të fundit në serialin ‘Gangs of London’, ndër më të ndjekurit në Britani. Karafil Shena, i cili ka luajtur shumë filma shqiptarë dhe në teatër, por ka një karrierë të suksesshme në Greqi duke luajtur në kinema dhe teatër. Aktorë të tjerë janë Eni Shehu, Neritan Licaj, Merita Cocoli, Juli Emiri, Alert Celoaliaj, Evis Lule, etj”.

Dedei zbulon më tej se “në film kemi shumë të rinj që punojnë, që janë të përkushtuar dhe mësojnë duke u përfshirë në prodhimin e tij. Kjo na gëzon, pasi kështu garantojmë të ardhmen e kinemasë shqiptare”.

Duke e cilësuar si një punë kolosale xhirimin e këtij filmi, producentja shpreson që “Këtu vallëzohet me hijet” të jetë një sukses në kinematografinë shqiptare

“Kur fillon një pune kolosale si kjo, gjithmonë beson në suksesin e saj. Por mendoj që kjo bëhet vërtet e besueshme kur ke një skenar të mirë dhe kur ky skenar realizohet nga një staf i talentuar që ne e kemi, fatmirësisht. Urojmë me zemër ta ndjekë fati, të ketë mundësitë të trokasë në dyert e duhura që natyrisht kërkon lobim, i cili kërkon para që kinemaja shqiptare nuk i ka. Por një gjë është e sigurt që do të jetë një film shumë i mirë”, përfundon producentja për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë