Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, referuar deklaratës së kryeministrit Rama për një faturim më të lartë të energjisë për familjet e pasura, njoftoi se nuk ka një vendimmarrje për këtë, por “është një plan i menduar nëse ndodhin skenarët më pesimiste nga lufta”.
“Inflacioni do të zgjasë më shumë se një vit”, – u shpreh Ibrahimaj, duke pritur një shifër vjetore prej 4.5% dhe rritje ekonomike nga 3.2 në 3.5%.
Më tej, ajo tregoi se Bordi i Transparencës ka marrë në shqyrtim vetëm 4 produkte të shportës, miellin, sheqerin, orizin kokërrgjatë dhe vajin e lulediellit, pasi menaxhimi për të gjithë ato është i vështirë. Ibrahimaj njoftoi se kjo metodologji do të bëhet edhe për inputet bujqësore.
Ndërkohë, ministrja shtoi se ndërtimi dha kontributin kryesor në rritjen ekonomike dhe se rritja gjatë 2021-shit ishte, 8.54%.
Ajo deklaroi se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, të ardhurat tatimore në arkën e shtetit janë rritur me 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ajo është ndikuar sidomos nga rritja e çmimeve.
Ibrahimaj tha se të ardhurat tatimore në buxhet janë rritur me 1.9 miliard lekë. Të ardhurat shtesë në buxhet janë realizuar kryesisht prej TVSH-së pas prej disa javësh çmimet e karburanteve, por edhe produkteve bazë të shportës kanë pësuar rritje.
Paga mesatare ka ndjekur të njëjtin trend. Ka pësuar një rritje me 8% krahasuar me vitin e kaluar. Për treguesit, gjatë muajve të parë të vitit kemi pasur një rritje të të ardhurave me 26%. Çmimet e rritura kanë pasur kontribut me 1.9 miliard lekë dhe pjesa tjetër ka ardhur si pasojë e rritjes së aktivitetit ekonomik”, deklaroi ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.