Ndikimi negativ i rrjeteve sociale në shëndetin mendor të të rinjve është i njohur prej kohësh, por një studim i ri tregon se mosha në të cilën ata janë më të ndjeshëm ndryshon midis vajzave dhe djemve.
Studiuesit pyetën adoleshentët për përdorimin e tyre në faqet e mediave sociale si Instagram dhe Twitter dhe nivelin e tyre të ‘kënaqësisë’, dhe më pas kërkuan një lidhje midis dy faktorëve. Ata zbuluan se vajzat përjetojnë një ndikim negativ ndaj rrjeteve sociale kur janë 11-13 vjeç dhe djemtë kur janë 14-15 vjeç.
Ndjeshmëria ndaj përdorimit të mediave sociale mund të lidhet me ndryshimet zhvillimore, si ndryshimet në strukturën e trurit, ose puberteti, i cili ndodh më vonë tek djemtë sesa tek vajzat – megjithëse mekanizmat e saktë kërkojnë kërkime të mëtejshme.
Studimi u drejtua nga Amy Orben, një udhëheqëse e grupit në Njësinë MRC të Njohjes dhe Shkencave të Trurit, në Universitetin e Kembrixhit, e cila e quajti lidhjen midis përdorimit të rrjeteve sociale dhe mirëqenies mendore ‘qartësisht shumë komplekse’.
“Ndryshimet brenda trupit tonë, si zhvillimi i trurit dhe puberteti dhe në rrethanat tona sociale duket se na bëjnë të prekshëm në periudha të veçanta të jetës sonë”, tha ajo.
Për të përcaktuar më mirë se cilët individë mund të ndikohen nga mediat sociale, studiuesit tani po u bëjnë thirrje kompanive të mediave sociale si Meta (e cila zotëron Facebook dhe Instagram) që të ndajnë të dhënat e tyre me shkencëtarët.

“Për të përcaktuar se cilët individë mund të ndikohen nga mediat sociale, nevojiten më shumë kërkime që kombinojnë të dhënat objektive të sjelljes me matjet biologjike dhe njohëse të zhvillimit”, tha profesor Andrew Przybylski, drejtor i kërkimit në Institutin e Internetit të Oksfordit, Universiteti i Oksfordit.
Ekipi hulumtues – i cili përfshinte psikologë, neuroshkencëtarë dhe modelues – analizoi dy grupe të dhënash që përfshinin rreth 84,000 individë midis moshës 10 dhe 25 vjeç.
Rezultatet treguan gjithashtu se rritja e përdorimit të mediave sociale lidhej me një kënaqësi të ulët të gjërave të tjera në jetë edhe për individët në moshën 19 vjeç, si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Studimi i publikuar sot (të martën) në Nature Communications, thekson edhe një herë rëndësinë e ndikimit të rrjeteve sociale tek moshat e reja.
Profesorja Bernadka Dubicka në Divizionin e Neuroshkencës dhe Psikologjisë Eksperimentale të Universitetit të Mançesterit, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim, e quajti atë një studim interesant që pasqyron kompleksitetin e parë tek adoleshentët vulnerabël në praktikën klinike.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




