Para

Të ardhurat nga emigrantët në 2021-shin arritën në nivelin më të lartë në 12 vjet 

Në 2021-shin, emigrantët që jetojnë e punojnë jashtë vendit dërguan tek të afërmit e tyre në Shqipëri 761 milionë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, niveli më i lartë që nga viti 2009.

Krahasuar me një vit më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat janë rritur me 13%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019-s, zgjerimi është gati 9%.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, rritje e lartë është shënuar përgjatë gjithë tremujorëve, por më e fortë ishte në tremujorin e dytë, teksa në 2020-n për shkak të bllokimit të menjëhershëm të lëvizjeve u shënua një tkurrje e ndjeshme e fluksit të parave që emigrantët dërgojnë në vend.

Sipas tremujorëve, niveli më i lartë i tyre u shënua në korrik-shtator, me 200 milionë euro, dhe në tremujorin e fundit me 222 milionë euro, që përkojnë me periudhën e verës dhe fundin e vitit, kur shumë emigrantë vijnë për pushime.

Italia dhe Greqia mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje.

Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.

Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000.

Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë