Teater

TKOB u rikonstruktua, por më shumë për rehatinë e administratës

Nga Luljeta Nelallari - Teatri i ri Kombëtar i Operës dhe Baletit do t’i ngrinte perdet më 15 shtator të vitit që shkoi përmes një mbrëmjeje Gala, ku në skenën e rikonstruktuar përpos solistëve tanë  u ngjitën edhe dy yje të rangut botëror, si Ermonela Jaho dhe Placido Domingo për të ‘servirur’ në këtë mënyrë edhe ambientet e rikonstruktuara. Edhe pse kishte nga ata që do ta cilësonin TKOB e rikonstruktuar pa asnjë ndryshim me operat botërore, duket se problematikat vijojnë.

Regjisori Nikolin Gurakuqi, i cili ka pasur më shumë se 4 dekada punë në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe një njohës i mirë i këtij institucioni shprehet me kritika për rikonstruksionin, që do të niste në vitin 2017 me një buxhet fillestar 1.2 miliardë lekë, por që për arritjen e teknologjive më të fundit do të përdoreshin edhe buxhete shtesë.

Regjisori Nikolin Gurakuqi thotë për Gazetën “Si” se si rikonstruksion ishte më se i domosdoshëm që të bëhej dhe erdhi në kohën e duhur, por ashtu si në çdo gjë që ndodh në Shqipëri, edhe ky rikonstruksion pati edhe problematikat e veta, si p.sh në standard dhe në shumë ndërhyrje.

“Por ka problematika sidomos për sa i përket standardit, cilësisë së punimeve, por edhe shumë ndërhyrjeve që kanë ndodhur në projekt”, shprehet Gurakuqi për Gazetën “Si”.

Një nga problematikat më të mëdha sipas Gurakuqit ishte ndërhyrja në projekt, duke ndryshuar destinacionet e studiove.

“Për shembull, studion e vjetër të korit e mori baleti dhe korin e kanë çuar në studion numër 2 të baletit, e cila ishte një studio e vogël, dhe shumë keq e mirëmbajtur. Një nga problemet e tjera është edhe largimi i orkestrës nga kati i dytë ku ndodhej më përpara, dhe zbritja e orkestrës në skenë, aty ku ndodhej më përpara depoja e skenografive”, vijon më tej Gurakuqi për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “nuk ka teatër në botë, i cili e ka orkestrën në skenë. Është i vetmi ky i joni dhe kjo ka ndodhur sepse ish-drejtuesit e Teatrit ishin njëri përfaqësues i baletit, dhe tjetra instrumentiste, përfaqësuese e orkestrës”.   

Një sektor tjetër që ai e përmend për shkak të ndërhyrjeve që i janë bërë është edhe sektori i solistëve, pra studiot ku bëjnë prova solistët.

“Aty janë vënë ca zbukurime, por janë ngushtuar korridoret. Janë bërë me një ngjyrë jeshile, sikur je në spital dhe jo sikur je në një teatër opere”.

Regjisori Nikolin Gurakuqi, në TKOB para rikonstruksionit

Ndonëse skena ka një teknologji të mirë ndriçimi dhe e pajisur me teknologjinë e fundit, por edhe këtu ai dallon një problematikë tjetër, siç është thjeshtëzimi i gjuhës skenografike.

“Gjatë rikonstruksionit është prishur rotativa ku montoheshin dikur skenografitë dhe tashmë çdo gjë bëhet me dorë. Kryesisht shfaqjet që ne shohim në TOB janë videoprojeksion nga mbrapa dhe dy tre karrige në skenë”, i shpjegon më tej Gurakuqi Gazetën “Si”.

Ai thotë se salla është rikonstruktuar dhe është bërë me karrige të reja, por aty janë prishur dy anët anësore dhe salla ka vetëm një ndarje.

“Nuk ka më tri ndarje siç kishte më përpara. Ishte shumë e thjeshtë për të hyrë dhe për të dalë nga salla. Po ashtu studioja e regjisë që përpara ka qenë në katin e parë, e kanë spostuar në llozhën e katit të dytë dhe këto bëjnë pjesë tek ato ndërhyrjet në projekt që për mua janë negative, e kanë dëmtuar kualitetin e sallës”.

Ai është kritik edhe ndaj ballkonatave që janë shtuar. “Ato duken sikur janë një sallë kinemaje, jo sallë opere, duke u humbur shkëlqimi viziv”.

Teksa kthehet pas në kohë, në Operën e para rikonstruksionit, ai kujton se TKOB ka pasur një holl në katin e dytë të cilin e përdorte për koncerte, që tani pas ndërhyrjes në projekt, e ka lënë Teatrin pa muze.

“Unë aty kam vënë dy-tre opera dhome me 1 ose 2 personazhe, por tani është kthyer në një krah tjetër, në krahun për së gjeri duke prishur të gjithë muzeun që ka qenë në anësoret e këtij kati. Sot TKOB është pa muze”, thotë ai, ndërsa shton se “është i vetmi teatër në botë që s’ka muze dhe arsyen pse e di vetëm drejtoresha e Operës”.

Në vitet e gjata të punës në këtë institucion, ai thotë se Operës Kombëtare i ka munguar gjithnjë studioja e regjisë dhe edhe pas rikonstruksionit miliona eurosh, akoma s’e kemi një të tillë.

“Zakonisht kur institucionet rikonstruktohen bëjnë një kalkulim mbi të gjitha studiot ku bëhen prova sepse institucionet si opera janë institucione që nuk mbijetojnë pa shfaqje. Operës i ka munguar gjithnjë studioja e regjisë. Me rastin e rikonstruktimit të Operës ishte shumë e mundshme që teatri të bënte një studio regjie, por edhe pse u hodhën miliona euro për të rikonstruktuar, akoma ky teatër është pa studio regjie”.

Sipas tij, në gjithë këtë rikonstruksion është administrata ajo që është kujdesur që të rehatohet për veten e vet. “Administrata ka shtuar numrat e zyrave, duke ua marrë sektorëve të tjerë të institucionit”.  

Ndër të tjera, Gurakuqi thotë se në projektin e vjetër të TKOB në katin e dytë ka qenë lozha e pritjes për autoritetet, mirëpo ndërhyrja në projekt ka bërë që tashmë autoritetet që vijnë nuk pushojnë më aty.

“Duke qenë se orkestra ka ikur nga studioja ku ka qenë më përpara, një holl shumë i madh është mbushur me kolltukë për të pushuar në pushim të shfaqjes autoritetet”, shprehet ai.

Ndërkohë te garderoba dhe studioja e zhveshjes, ai shikon që ka një përmirësim të kualitetit të dhomave dhe siç shprehet vetë Gurakuqi “kjo sigurisht që është gjë pozitive”.

Gjithë këtë rikonstruksion që zgjati në një hark kohor prej pesë vitesh, ai nuk e shikon shumë me syrin e një teatri opere.

“Ky rikonstruksion operën e ka kthyer në një institucion multifunksional. Më shumë e shikoj në planin koncertal sesa operistik”. Gurakuqi nuk do që të zgjatet te shfaqjet që janë vënë në skenë pas rikonstruksionit, por e thotë me zë të lartë që nuk është vënë asnjë premierë e re. “Opera deri më tani është me 3-4 shfaqje dhe baleti me 2-3 shfaqje”.

Ai përfundon për Gazetën “Si” se rikonstruksioni “pa dyshim e ka rritur kualitetin e gjendjes së institucionit, por mund të ishte bërë më mirë po mos kishte ndërhyrje në projekt dhe të ishte ruajtur projekti i parë e të ishte rikonstruktuar me kualitet më të lartë”.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë