Ndonëse sektori bankar e nisi me rezultat pozitiv vitin 2022, ra në vlera ndjeshëm më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë,për muajin janar të këtij viti rezultati i përbashkët i 12 bankave tregtare ishte pozitiv në vlerën e 954 milionë lekëve ose rreth 7.8 milionë eurove.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimi neto i sektorit bankar ka rënë me 51%. Ky rezultat është njëkohësisht më i ulët i shënuar nga sektori bankar shqiptar që prej vitit 2016.

Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore. Të dhënat sipas IFRS treguan se edhe për vitin e kaluar rezultatet e bankave ishin mjaft pozitive, me një fitim neto prej 19 miliardë lekësh, vlera më e lartë historike e raportuar nga sektori.
Rënia e fitimeve në janar, gjithmonë sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, në pamje të parë nuk lidhet me përkeqësim të dukshëm portofolit të kredisë. Statistikat treguan se për janarin treguesi i kredive me probleme ra në 5.45%, nga 5.65% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Rënia e fitimet për janarin ka bërë që edhe treguesit e rentabilitetit të pësojnë një rënie krahasuar me vitin e kaluar. Kthimi nga kapitali aksioner për muajin janar, i mesatarizuar me bazë vjetore, zbriti në 6.48%, nga 11.64% që kishte qenë në janarin e vitit të kaluar.
Kthimi nga aktivet ka arritur në 0.71%, nga 1.37% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



