Ngjarje

Foto-Video/ ‘Boll na vodhët’, dy orë protestë për çmimet te kryeministria për të katërtën ditë radhazi. Të dielën sërish në shesh

Gazeta Si – Ka zgjatur rreth dy orë këtë të shtunë para kryeministrisë protesta e qindra qytetarëve, të cilët për të katërtën ditë radhazi kanë kundërshtuar rritjen e çmimit të ushqimeve dhe të karburanteve.

Në Tiranë, protestuesit u grumbulluan rreth orës 11:00 në Sheshin Skënderbej dhe marshuan duke u grumbulluar para kryeministrisë.

Më të shumtë në numër, për rreth 2 orë, ata kërkuan ndërhyrjen e qeverisë tek taksat e naftës dhe tek çmimi në mënyrë që të ulet.

Tubimi paqësor në të cilin nuk u regjistrua asnjë incident, nisi rreth orës 11 dhe përfundoi në 13:15. Ndërsa protesta para kryeministrisë është mbyllur e qetë, qindra qytetarë kanë marshuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës në rrugën “Myslym Shyri”, ku kanë kërkuar lirimin e personave të ndaluar në protestat e ditëve të fundit.

Pas tubimit, protestuesit njoftuan se do të mblidhen sërish të dielën në orën 11:00 në Sheshin Skënderbej për të vijuar me të njëjtin marshim drejt kryeministrisë.

Ndërkohë që Garda kishte marrë masa, duke blinduar dyert, teksa në gatishmëri janë edhe autobotet me gaz lotsjellës.

Me parrulla në duar “Boll na vodhët” dhe të organizuar, ata kërkojnë që qeveria të ulë taksat dhe të kontrollojë abuzuesit në tregjet ushqimore.

Në një kohë kur qytetarët protestonin, kryeministri Edi Rama pati një reagim, ku tha se nuk ka pasur nevojë për një “pakicë të çartur”, që të vepronte, por ka nisur nga marrja e masave, duke thënë se sot do të bëhet gati plani anti-krizë.

Më herët ka nisur edhe protesta kundër rritjes se çmimeve të hidrokarbureve në Lezhë këtë të shtunë. Protestuesit bllokuan për disa minuta rrugën dhe për pasojë u ndalua edhe qarkullimi i automjeteve. Ata thanë se e bllokuan rrugën për disa minuta në mënyrë demonstrative për të kërkuar uljen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës.

Po ashtu qytetarët u ngritën sot edhe në Dibër, Pogradec dhe Berat. Qytetarët e mbledhur në protestën para kryeministrisë kanë kundërshtuar fjalimin e njërit prej protestuesve, i cili përmendi opozitën dhe tha se ajo do t’i dalë zot këtij populli.

Pas deklaratës së tij, protestuesit filluan të thërrasin ‘poshtë politika’, duke theksuar se nuk kishin dalë në shesh për asnjë kryetar, por për veten e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë