Leku vazhdoi edhe sot (10 mars) të rimëkëmbet në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 123.72 lekë, afërsisht një pikë më pak krahasuar me ditën e djeshme(9 mars).
Kthimi i kursit pranë vlerave të mëparshme ka ardhur kryesisht falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që në tre ditët e fundit ka ndërhyrë duke shitur euro, për t’iu përgjigjur kërkesës dhe për të qetësuar një lloj paniku që kishte përfshirë tregun valutor që prej fillimit të javës së kaluar.
Nxitja që i dha shtysën kryesore forcimit të fortë të euros ishte blerja në sasi të mëdha e valutës për nevoja të importit të energjisë elektrike nga kompanitë e këtij sektori.

Para disa ditësh, agjentët e këmbimit valutor u shprehën për Gazetasi.al se zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë dhe me rritjen e fortë të çmimeve të mallrave të konsumit kanë krijuar një pasiguri të lartë dhe shtim të blerjes së euros në tregun valutor.
Ata theksuan se rezerva jonë valutore është 5mld euro,përkatësisht 4.97,një nivel gati historik pasi u rrit me rreth 26% nga viti 2020 dhe përbën një faktor sigurie dhe një instrument për të amortizuar goditjet e këtij lloji në kursin e këmbimit.
Përveçse ndaj euros, leku fitoi për të dytën ditë radhazi pikë edhe ndaj shumicës së valutave të tjera.
Dollari amerikan u këmbye sot me afërsisht 112 lekë, ndërsa të martën kishte arritur nivelin e pothuajse 117 lekëve. Edhe paundi britanik ra në 147.4 lekë, 7 pikë më pak krahasuar me kursin e ditës së martë, kur kishte arritur nivelin më të lartë të viteve të fundit.
Në përgjithësi, kursi i monedhave të tjera me lekun reflekton pozitat e tyre kundrejt euros dhe është më pak i lidhur me faktorët e brendshëm të tregut valutor shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



