Kreditimi i ekonomisë e ka nisur me ecuri pozitive vitin 2022.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar në janar dha kredi të reja për një vlerë totale prej 19.2 miliardë lekësh, në rritje me 68% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo është vlera më e lartë e kredisë së re e dhënë për muajin janar në gjashtë vitet e fundit.
Kredia për ndërmarrjet private kishte peshën kryesore edhe në janar, me një vlerë totale kredie prej 10.9 miliardë lekësh, në rritje me 47% krahasuar janarin e vitit të kaluar.

Kontribut të rëndësishëm edhe për janarin dha edhe kreditimi i ndërmarrjeve publike, me një vlerë prej 3.4 miliardë lekësh, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë kredia në këtë segment kishte qenë 0.
Kreditimi për janarin rezultoi sërish pozitiv edhe në segmentin e individëve. Kredia e re arriti në 4.9 miliardë lekë, në rritje me 23% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Interesi në rritje për të investuar në pasuri të paluajtshme dhe rimëkëmbja e konsumit po nxisin kërkesën për hua tek individët edhe këtë vit.
I matur si tepricë kredie, portofoli total në fund të muajit janar arriti vlerën e pothuajse 665 miliardë lekëve. Megjithëse vlera e portofolit ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me dhjetorin, me bazë vjetore ritmet e rritjes ngelen të qëndrueshme.
Portofoli kishte një vlerë 9.6% më të lartë krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Ritmet më të larta të rritjes shënohen në segmentin e ndërmarrjeve publike, me 43% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritje dyshifrore shënon edhe portofoli i individëve, me 12.3%, ndërsa për bizneset private rritja është më e ulët, në nivelin 7.1%.
Krahasuar me vitin 2020, vlera e kredisë së re ka shënuar rritje me 7.8%. Kontributi në rritjen e kredisë gjatë vitit 2021 ka ardhur nga ndërmarrjet publike dhe nga individët, ndërsa kredia për kompanitë private ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë.
Kreditimi i ekonomisë po vijon të ecë me ritme të mira, pavarësisht se prej afro dy vitesh po përballet me ngjarje shqetësuese, si pandemia apo vala e shpejtë inflacioniste që ka nisur në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Për më tepër, kreditimi i bizneseve dhe familjeve është fokusuar edhe më shumë në financimin e investimeve, çka i jep rritjes së kredisë më shumë qëndrueshmëri në kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



