Para

Rrjedhin llogaritë e bankave në Zvicër, klientë edhe nga Shqipëria

Britanikja “The Guardian” zbuloi se është vënë në zotërim të llogarive bankare të mbi 30 mijë klientëve të bankës së dytë më të madhe zvicerane dhe në listën e këtyre llogarive ka edhe shtetas shqiptarë.

Në artikullin e gazetës britanike thuhet se rrjedhja e të dhënave zbulon imoralitetin dhe hipokrizinë e ligjit për sekretin bankar në Zvicër, që është shndërruar prej vitesh në një parajsë që trafikantë, të korruptuar, kriminelë e deri përdhunues e vrasës të strehojnë pasuritë e tyre miliarda euroshe.

Nga analiza e të dhënave, “The Guardian” thotë se pjesa më e madhe e këtyre llogarive zotërohet nga shtetas dhe individë të vendeve në zhvillim dhe shtete problematike me sundimin e ligjit, korrupsionin dhe drejtësinë.

Sipas këtij grafiku të “The Guardian” në listën e 30 mijë llogarive të rrjedhura ka edhe shtetas shqiptarë, por nuk jepet numri i saktë i tyre

Vendet me numrin më të madh të llogarive janë Venezuela, Egjipti, Ukraina dhe Tajlanda, që prej vitesh kanë hasur fenomenin e udhëheqësve politikë dhe elitës financiare që fshehin të ardhurat e tyre.

Venezuela dhe Egjipti ka mbi 2 mijë llogari, Tajlanda dhe Ukraina mbi 1 mijë të tjera. Në listë e vendeve, shtetasit e të cilave kanë llogari te “Credit Suiss” është edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Të dhënat, sipas ekspertëve të “The Guardian” tregojnë vetëm majën e ajsbergut të një fenomeni masiv që vazhdon prej dekadash, kur persona me probleme të theksuara me ligjit e drejtësinë në mbarë botën fshehin pasuritë e tyre në Zvicër.

“Credit Suisse” është banka e dytë më e madhe e Zvicrës me rreth 50 mijë punonjës vetëm në Zyrih, ku ka zyrat qendrore. Por, banka ka ngritur një rrjet global me mbi 3500 menaxherë me detyrën e gjetjes dhe ofrimit të shërbimeve për klientë të pasur. Banka ofron shërbimet e saj për klientë në më shumë se 120 vende të botës.

Rrjedhja e të dhënave është dhimbja tjetër e kokës për drejtuesit e “Credit Suiss”. Pak ditë më parë ajo u bë banka e parë e madhe zvicerane që përballet me akuza penale, pas dyshimeve se ndihmoi mafian bullgare që të pastronte miliona euro para droge.

“Credit Suisse” ka më shumë se 1.6 trilionë euro asete në menaxhim dhe është një prej huadhëneseve më të mëdha, pas bankës UBS. Nisur nga pesha që zë në tregun financiar, skandali që i ka shpërthyer në dorë kësaj banke mund të prekë të gjithë sistemin bankar vendas, që është i famshëm në botë për ruajtjen e sekretit.

Në total, bankat zvicerane zotërojnë rreth 10 trilionë euro asete, ku thuajse gjysma e tyre u përkasin klientëve të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë