Politike

Miratohet zgjatja e afateve të organeve të Vetingut me 118 vota pro   

Parlamenti ka miratuar zgjatjen e afateve të organeve të Vetingut në kuadër të Reformës në Drejtësi. 118 deputetë votuan pro, 0 vota kundër dhe 4 abstenime.

Me votimin nga Parlamenti, mandati i organeve të Vetingut shtyhet deri në dhjetor 2024.

Për të votuar zgjatjen e afateve të organeve të Vetingut kishin bërë thirrje edhe ambasada e SHBA dhe Delegacioni i BE në Tiranë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se PD do të votonte pro shtyrjes së afateve të institucioneve të Vetingut.

Basha theksoi se ka vetëm një shans që Shqipëria të bëhet pjesë e Europës, që politikanët të shkojnë në burg. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka abstenuar.

Veç votimit për zgjatjen e afateve të vetingut, në Kuvend u votua edhe për ngritjen e dy komisioneve: ai për Reformën Territoriale dhe ai për Reformën Zgjedhore.

Komisioni i Reformës Territoriale mori 120 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenime; ndërsa Komisioni i Reformës zgjedhore mori 119 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

SHBA, BE dhe OSBE mirëpresin zgjatjen e vetingut: Moment historik për reformën në drejtësi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE-ODIHR në Shqipëri kanë përshëndetur miratimin e zgjatjes së organeve të vetingut nga Kuvendi.

Nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale ambasada e SHBA në vendin tonë e konsideron këtë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit europian.

“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vettingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë Shqipërinë në këtë rrugë të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e SHBA.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë Luigi Soreca, e cilëson një moment vendimtar për reformën në drejtësi dhe të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së.

“Sot Parlamenti shqiptar tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara në pranimin në BE! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. I mirëpres gjithashtu vendimet e rëndësishme të marra nga Parlamenti shqiptar për propozimet PD-së për të çuar përpara në komisionet ad hoc të Kuvendit punën për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e ODIHR-OSCE, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e deritanishme”, shkruan Soreca.

Edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret vendimin e Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut.

“Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar. Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë. Po ashtu, përshëndesim ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, shkruan OSBE-ODIHR.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë