Gazeta Si - Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbërritur në godinën e SPAK-ut rreth orës 17:00 për të dëshmuar për dosjen e 'Toyota Yaris'.
Disa zyrtarë belg, mes tyre edhe prokurorë, ndodhen në vendin tonë për dosjen e 3.4 mln eurove, të ashtuquajtur “Toyta Yaris”, që policia shqiptare gjeti dhe sekuestroi në një makinë tip “Toyota” në qershor 2018 në portin e Durrësit.
Ata kanë mbërritur në Tiranë më 8 shkurt për llogari të hetimeve të përbashkëta me autoritetet shqiptare ndaj grupeve me aktivitet kriminal në trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Shuma monetare e konsiderueshme u fut ilegalisht në Shqipëri ndërkohë që prokuroria dyshon se bëhet fjalë për të ardhura nga një aktivitet i paligjshëm në Belgjikë.
Kryedemokrati Basha ishte personi i parë që denoncoi në Kuvend çështjen e ‘Toyota Yaris’ kur ajo nuk ishte bërë ende publike. Ai iu drejtua Taulant Ballës dhe i tha se ai kishte porositur një makinë “Toyota Yaris”.
“Qesh ti qesh, zgërdhiu! Ai që po zgërdhihet më shumë ka qenë para tri ditëve në Shqipëri. Ai zgërdhitësi ka marrë “Toyta Yaris”-in. Por t’u zbulua Toyota”, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda. Sepse zgërdhitësi thoshte s’kemi probleme, s’kemi drogë, reformat po ecin, krimi po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar e nuk ka nevojë ta thotë opozita”, - iu drejtua Basha deputetit socialist nga foltorja në 22 qershor 2018.
Për këtë çështje Basha ka dëshmuar më herët në Prokurorinë e Tiranës. Por nëse dosja në Shqipëri është mbyllur, Belgjika vijon ende hetimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.