Politike

Debati në Kuvend, Berisha: Reforma në drejtësi, me pasoja katastrofale për vendin   

Ish-kryeministri Sali Berisha replikoi në Kuvend jo me Lulzim Bashën dhe as me Edi Ramën që nuk ishte i pranishëm në atë moment por me Ervin Salianjin për zgjatjen e mandatit të KPK-së, duke sjellë në seance plenare një nga qëndrimet e kreut të PD-së, Lulzim Basha në kohen kur ky i fundit kishte ngritur çadrën para kryeministrisë këtu e 5 vjet me parë.    

“Projekti i vettingut është një projekt mafioz ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Ramës kanë marrë peng ekspertët e BE, bashkëkomplotistët e tu janë dekonspiruar i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare”, ishte fjala e Bashës e shkëputur nga ish kryeministri.

“Po kemi qenë për vettingun ne e jemi për vettingun, por jo për armë gjahu, e që ta dish ti, jo nuk e di, e di por të intereson gjysma e pengut e gjysma e Bravës.

Ka qenë marrëveshje që 7 ligjet organike do votoheshin me konsensus. Unë po flas për PD në atë periudhë sot PD është kundër, është opozita e vërtetë e jo ju që votoni urdhëro ja deklarata e tij, e sot bëni sikur s’jeni më ata.

Ligjet u votuan pa PD, në shkelje të marrëveshjes që kishim për t’i votuar bashkërisht, por tani pasi ua fusin ato në …e kuptoni vetë e dridhni e më thoni ju këtu. Jo zotëri”, tha Berisha si replikë me deputetin Ervin Salianji i cili më herët nënvizoi se “nëse ka përgjegjës për kapjen e drejtësisë nga Rama aq sa e ka kapur, është nga parafolësi”, duke iu referuar Berishës.

Berisha tha me herët që “nëse vazhdohen me fjalë të sipërfaqta ndërkohë që vazhdojnë marrëveshjet nën rrogozë, pengu i Meduzës bashkë me peng bravën kjo seancë duhet të ndërpritet. Është hipokrizi e madhe”.

Berisha e cilësoi reformën në drejtësi me pasoja katastrofale për historinë e vendit.

“Të nderuar deputetë, këto po diskutohet për njërën nga pseudoreformat, me pasoja katastrofale në historinë e këtij vendi, që i këputi shtyllën kurrizore shtetit shqiptar. Kjo reformë pati pasoja nga më katastrofalet për qytetarët shqiptarë dhe për Shqipërinë.

Në themel të këtyre pasojave qëndron manipulimi i procesit të vettingut si hanxhar politik për gjahun e shtrigave për spastrimin e drejtësisë mbi baza krahinore dhe politike. Kam paralajmëruar Edi Ramën për këtë katastrofë që do vijë, është përpjekur të lajë duart me ndërkombëtarët.

Përgjegjësia totale për këtë reformë është e Edi Ramës, pasi u përzgjodh me qëllim vettingu nga lart poshtë dhe jo poshtë lartë. Një kryeministër i cili pranon që vendi të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, pa shtet ligjor, ai nuk është kryeministër, por një përbindësh i etshëm për pushtet. Që të arrijë sot në këtë pikë me 10% më shumë pushtet seç kishte diktatori i fundit në Evropë.

Cilat janë pasojat e saj? Me dhjetëra gjyqtarë të rinj u larguan nga sistemi gjyqësor. Komisioni i Venecias, tha se afati 3 javor u përdor për të përjashtuar gjyqtarët të cilët nuk mund të dorëzonin dokumentet brenda afateve”, tha Berisha, duke përmendur edhe emra gjyqtarësh konkrete ndaj të cilëve janë përdorur standarde të dyfishta nga vettingu.

Qëndrimin e tij kundër, Berisha e përcolli edhe për mediat para se të futej në Kuvend.

Ish-Kryeministri tha se qëndrimi i Lulzim Bashës për zgjatjen e vettingut tregon bashkëqeverisje mes tij dhe Ramës.

“Është bashkëqeverisja e pengut me pengmarrësin.

Unë i kam shprehur qëndrimet e mia ndaj këtij procesi, gjigant korruptiv që shoqërohet në çdo hap me shkelje të rënda ligjore të konstatuara dhe që u përdor për gjah shtrigash nga Edi Rama me ndihmën e mikut të tij George Soros.

U përdor për spastrime krahinore, klasore dhe fetare e sistemit të drejtësisë.

U përdorën disa standarde dhe ky siç e dini ju, është një proces i flakur që nuk i beson më shoqëria shqiptare. Unë kurrë nuk do të votoj në kundërshtim me atë që mendojnë dhe besojnë shqiptarët”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë