Ambasada e SHBA dhe ajo e BE kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku i kërkojnë klasës politike që të sigurojnë votat e nevojshme në Parlament për të zgjatur afatet e komisioneve të vettingut.
“Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vettingut të kryejnë misionin e tyre është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës përta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar”, thuhet në deklaratë.
Dy përfaqësitë kryesore diplomatike theksojnë se zgjatja e mandateve të këtyre komisioneve është një rekomandim edhe i Venecias.
“Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet europiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike”, vijoj deklarata.
Kërkesa drejtuar Kuvendit është që ndryshimet të kryhen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Zgjatja e propozuar e vettingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë, që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake ta shohin këtë si çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën europiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vettingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, mbyllet deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




