Rend dhe Ligj

Historia/ Lanë të lirë të shpallurin në kërkim, arrestohen 2 policët që i morën 10 mijë euro

Më 10 gusht të vitit të kaluar dy punonjës të policisë së Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Durrësit me inicialet, V.B. dhe G.LL., pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej një person i shpallur në kërkim me inicialet A.M., e kanë lokalizuar dhe më pas kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin.

Deri këtu gjithçka konform ligjit.

Por rrugës ata kanë negociuar me të shpallurin në kërkim, duke e lënë të lirë kundrejt një shume prej 10.000 Euro. Një aferë kjo e hetuar nga SPAK në bashkëpunim me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy policët, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Nga gjykata është caktuar gjithashtu masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndaj shtetasit A.M., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë