Para

Kredia e re në euro arriti nivelin më të lartë në 6 vjet, u rrit me 46%

Kredia në euro ishte në rritje gjatë gjithë vitit 2021 dhe arriti nivelet më të larta në gjashtë vitet e fundit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 11 muajt e vitit 2021 sektori bankar dha 846 milionë euro kredi të reja në valutën europiane,duke u rritur me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas kohëzgjatjes së kredisë, peshën më të lartë në portofol e ka kredia afatgjatë me maturim mbi pesë vjet, që përbënte mbi 45% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur ndahej mes maturitetit afatshkurtër dhe atij afatmesëm.

Nga ana tjetër, kredia e re në lekë për 11-mujorin e vitit të kaluar pësoi rënie, me 6.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, në vlerë kredia në lekë ngeli dominuese edhe vitin e kaluar, me një total disbursimesh prej 114.6 miliardë lekësh.

Sipas kohëzgjatjes, edhe kredia në lekë është dominuar kryesisht nga afatet e gjata të maturimit, me rreth 42% të totalit.

Rikthimi i rritjes së kredisë në euro gjatë vitit të kaluar mund të shpjegohet nga disa faktorë dhe ndoshta më kryesori është rritja e lartë e depozitave në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në valutën europiane u rritën me 17.7% ose me 800 milionë euro për 11-mujorin e vitit të kaluar. Rritja e depozitave në euro rrit mundësitë e bankave për të kredituar në këtë monedhë.

Një faktor tjetër janë edhe normat më të ulëta të interesit. Norma mesatare e huave të reja të dhëna për individët gjatë 11 mujave të vitit 2021 ishte 3.88%, ndërsa i njëjti tregues për lekun rezultoi 5.87%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë