Një 39-vjeçar i identifikuar si Bledar Muça, ka mbetur i vrarë në një atentat në Belgjikë. Viktima njihet si pjesë e një grupi kriminal në Elbasan dhe konsiderohet si mik i ngushtë i Ardjan dhe Florenc Çapjes, të dy këta persona të proceduar penalisht nga SPAK për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentjan Beqirit.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës, ku Muça është qëlluar në një autostradë publike në Anversë (Antwerpen) rreth orës 23:00, ndërsa ka ndërruar jetë në vend. Mediat belge kanë publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes dhe autoritetet kanë nisur hetimet.
Policia lokale fillimisht mendoi se kishin të bënin me një shtetas britanik për shkak të pasaportës angleze që viktima dispononte, por më pas nga hetimet u mësua se origjina e viktimës ishte pikërisht Elbasani.
Prej muajit Maj të 2021, periudhë kur në Elbasan u arrestua Ardjan Çapja dhe u shpall në kërkim Florenc Çapja, i cili mundi të largohet në Dubai, Muça braktisi Elbasanin, duke bërë një jetë mes Anglisë, Holandës dhe Belgjikës. Pikërisht në këto shtete, Muça dyshohet se kryente trafikimin dhe tregtinë e kokainës.
Bledar Muça është dënuar me dy vite burgim për përplasjen me armë me agjentët e policisë në Elbasan. Për herë të fundit në Shqipëri, ai është arrestuar në maj të vitit 2020, pasi aksidentoi një polic burgu.
Sakaq, në vitin 2016, ndaj tij janë bërë dy atentate. Njëri në shkurt 2016, kurse tjetri në korrik të të njëjtit vit. Në këtë të fundit, ai ishte objektiv bashkë me Florenc Çapjan. Muça u plagos nga ai atentat, kurse Florenc Çapja nuk pësoi asgjë, ku policia shpalli në kërkim dhe arrestoi më vonë Shkëlzen Hasanpapajn.
Muça dyshohet se është përfshirë në shumë ngjarje të rënda në Elbasan, por ka mundur t’ia hedhë drejtësisë.
Në verën e vitit 2016, ai u arrestua dhe u dënua me dy vite burg, pasi qëlloi me armë ndaj policisë teksa ishin në vëzhgim të familjes Çapja pas atentatit të shkurtit. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë me armë në dorë duke qëlluar ndaj policisë.
Emri i tij është i përfshirë edhe në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe prokuroria.
Madje emri i tij u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen dy vite më vonë, të vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.
Thuajse dy vite më parë, në 2020-ën, Muça në muajin maj goditi me makinën e tij policin e Burgjeve, Hekuran Pisha, duke e rrëzuar nga motori dhe thyer njërin krah. Pisha, u dënua për drejtim mjeti pa patentë, ndërsa çështja për Bledar Muçën u pushua nga Prokuroria e Elbasanit.
Pas kësaj ngjarjeje, Muça mundi të largohet nga pika kufitare e Kapshticës, duke hyrë në Greqi dhe pastaj përfundoi në Angli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.