Rend dhe Ligj

Prokuroria e Tiranës bën të ditura akuzat për protestën e dhunshme të PD-së

Me anë të një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për protestën e dhunshme të datës 8 janar në selinë e Partisë Demokratike. Për ngjarjen në fjalë, nga organi i akuzës janë ngritur disa akuza.

Në njoftimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tirana, shkruhet:
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit 2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike.

Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme, si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin. Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi:
– dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone,
– përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre,
– mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve,
– si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë.

Hetimet vijojnë në mënyrë intesive në drejtim të marrjes së të dhënave me vlerë hetimore. Po kryhen të gjitha veprimet si:
– sekuestrimet e pamjeve filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore,
– marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes,
– si dhe çdo lloj veprimi tjetër që do dalë i nevojshëm nga dinamika në vijim.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë