Adoleshentët shqiptarë në jo pak raste kanë vështirësi të komunikojnë me prindërit e tyre dhe sidomos me babain. Një në pesë vajza dhe një në dhjetë djem kanë vështirësi të komunikojnë me babain, ndërkohë që ata komunikojnë së shumti online me shokët e ngushtë. Kjo gjë bëhet e ditur në studimin për Vlerësimin e sjelljeve të lidhura me shëndetin tek fëmijët e moshës shkollore, një studim ndërkombëtar i Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën.
“Komunikimi me prindërit është një element shumë i rëndësishëm përmes të cilit familja funksionon si një aset shëndetësor mbrojtës, duke i pajisur të rinjtë me aftësitë e duhura për të përballuar situata stresuese. Adoleshentët të cilët raportojnë lehtësi komunikimi me nënat e tyre kanë më pak gjasa të përdorin duhanin, pije alkoolike ose të jenë seksualisht aktivë. Komunikimi me prindërit gjithashtu ka efekte mbrojtëse në sjelljet që lidhen me aktivitetin e tyre dietik dhe fizik”, vërehet në studim.
Në total, më shumë se gjysma e fëmijëve (53 përqind) raportuan një komunikim shumë të lehtë me baballarët e tyre, ndërsa gati tre të katërtat (74 përqind) raportuan një komunikim shumë të lehtë me nënat.
Nga ana tjetër, pothuajse 17 përqind dhe 6 përqind e fëmijëve raportuan një komunikim të vështirë dhe/ose shumë të vështirë me baballarët dhe nënat.

Fëmijët shqiptarë komunikojnë më lehtë me nënat
Fëmijët shqiptarë komunikojnë më lehtë me nënat e tyre sesa me baballarët, gjetje kjo e ngjashme me raportet e studimeve nga shumica e vendeve. Për sa i përket dallimeve gjinore, 11 përqind e djemve dhe rreth 22 përqind e vajzave raportuan një komunikim të vështirë dhe/ose shumë të vështirë me baballarët e tyre, një gjetje kjo statistikisht shumë domethënëse. Nga ana tjetër, nuk kishte ndonjë ndryshim midis djemve dhe vajzave në lehtësinë e komunikimit të tyre me nënat.
Komunikimi me nënat dhe veçanërisht me baballarët ishte më i vështirë për të rinjtë e rritur në krahasim me ata më të vegjël në moshë. Është pozitive gjithsesi të vërehet se në krahasim me disa vite më parë ka një rritje të përqindjes së fëmijëve dhe të rinjve që komunikojnë lehtësisht me nënën dhe babain. Kështu, në krahasim me katër vite më parë komunikimi shumë i lehtë me nënën është rritur nga 62 përqind në 74 përqind dhe komunikimi me babain nga 37 përqind në 53 përqind.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




