Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i ka kërkuar AMA-s dhe AKEP-it që të ndalin mediat dhe portalet që të publikojnë të dhënat personale lidhur me rrogat dhe numrat e telefonit të shqiptarëve që dolën një ditë më parë.
Në një njoftim për shtyp, zyra e Komisionerit, thekson se publikimi/shpërndarja e këtyre të dhënave, në faqe interneti apo organe të medias, përbën një burim të hapur dhe të paligjshëm informacioni, në të cilin çdokush, brenda dhe jashtë vendit, ka mundësinë e aksesimit të këtyre të dhënave në kundërshtim të plotë me parimet dhe kriteret ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
Nisur nga volumi jashtëzakonisht i madh i të dhënave që përmban kjo databazë, Zyra e Komisionerit ka kërkuar bashkëpunim efektiv dhe ndërhyrje të shpejtë institucionale për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të të dhënave personale online dhe/ose nëpërmjet mediave.
Zyra e Komisionerit, vlerëson se kjo ngjarje mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën private, profesionale dhe familjare të qytetarëve dhe përbën një shkelje shumë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore të tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë.
Më herët, Prokuroria e Tiranës njoftoi e ka nisur hetimet për këtë çështje, duke zbarkuar për verifikim në AKSHI, ISSH dhe Drejtorinë e Tatimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.