Pas shpërndarjes së listës prej 630 mijë emrave të qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, çdo shqiptari i lind e drejta ligjore të denoncojë organin shtetëror përgjegjës për publikimin e të dhënave të tij private.
Avokati Adriatik Lapaj i kontaktuar nga Gazetasi.al tha se kjo e drejtë ligjore rrjedh nga nenet 122, 192 b dhe 248 të Kodit tonë Penal.
“Nisur nga veprat penale që përcaktojnë këto nene, qytetarët mund t’i drejtohen policisë dhe prokurorisë për të bërë kallëzim penal për rrjedhjen e të dhënave.
Ndërsa në aspektin civil, në bazë të nenit 17 të ligit “Për mbrojtjen e të dhënave personale mund t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar dëmshpërblimin e dëmit si pasojë e keqpërdorrmit të të dhënave personale”, tha avokati Lapaj.
Sipas tij, para nisjes së procedurës së kallëzimit penal, duhet të pritet të përfundojë hetimi i prokurorisë dhe instituticionit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave, për të përcaktuar organin shtetëror përgjegjës për rrjedhjen e të dhënave.
“Mirë është që të konkludohet njëherë se nga kanë rrjedhur këto të dhëna, që do dalin pas veprimtarisë së organit të prokurorisë dhe komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi kjo do të përcaktonte organin shtetëror që ka legjimitetin pasiv për tju drejtuar më pasme padi”, u shpreh për Gazetasi.al, avokat Adriatik Lapaj.
Një ditë më parë, Prokuroria deklaroi se ka nisur verifikimet për dyshimet e përhapjes së sekretit personal në bashkëpunim. Dokumenti me pagat e qytetarëve po shpërndahet masivisht përmes rrjetit Whatsapp dhe platformës Tik Tok dhe mund të hapet nga çdo pajisje elektronike.
Por cilët janë nenet që i japin të drejtë qytetarëve?
KODI PENAL
Neni 122
Përhapja e sekreteve vetjake
Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 192/b
Hyrja e paautorizuar kompjuterike
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53;
ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 19)
Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një
pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 21;
ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 21; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
LIGJ Nr.9887, datë 10.3.2008 PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE
Neni 17
Kompensimi i demit Çdo person, të cilit i është shkaktuar një dëm, si rezultat i përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale, ka të drejtë t’i kërkojë kompensim kontrolluesit për dëmin e shkaktuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.